Nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u ndal edhe tek dëshmia e tij sot në SPAK, që zgjati rreth 5 orë.

“Para se t’ju uroj Gëzuar Vitin e Ri, ju detyrohem një sqarim për bashkëpunimin dhe vizitën time në SPAK sot paradite. Jam informuar që kam pasur…Si kryetar i bashkisë do më lini ta bëj këtë sqarim?!”, iu drejtua disa prej anëtarëve të Këshillit të cilët tentuan t’i ndërprisnin fjalën.


Më tej ai theksoi se ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme si bashkëpunëtor, lidhur me një “letër anonime dhe kurth të sajuar” të një personazhi që sipas tij nuk ekziston.

“Për të gjithë ata qytetarë që duan ta dëgjojnë…Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni, që është një personazh që nuk ekziston. Për të na kthyer mallin e letrave anonime! Unë e kuptoj se disa njerëz që nuk na mundin dot në betejë, në zgjedhje janë kthyer në zanatin e letrave anonime. Nesti Angoni nuk ekziston, të gjithë e dimë kë përfaqëson ky emër, çfarë mentaliteti përfaqëson dhe çfarë kulture linçuese përfaqëson ky stil. Megjithatë, duke qenë se kryetari i bashkisë ka në zotërim të gjithë regjistrin civil dhe mund të verifikojë qartazi se ishte një kurth i sajuar, kam qenë bashkëpunues. Do ishte shqetësuese nëse kryetari i bashkisë, edhe për kurthe anonime nuk paraqitet.”

“E di gjithë Tirana ku jetoj unë, ku banoj unë. Ku isha përpara zgjedhjeve, ku vazhdoj pas zgjedhjeve dhe ku do jem deri në fund të kësaj detyre. Kështu që unë hyj te ajo rracë politikanësh që nuk i thotë SPAK-ut skap kur s’i intereson, dhe i thotë SPAK kur i intereson për kundërshtarët e vet. As nuk kam bërë anti-protesta, as letër anonime se vij nga një brez jo i letrave anonime. Këtu do jemi, në Maj do ju mundim! Me gjithë letra anonime e kurthe!”, përfundoi  Veliaj.

Kujtojmë se paraqitja e Veliajt në SPAK erdhi 20 ditë pas kontrollit që hetuesit e Byrosë Kombëtare ushtruan në banesën e tij në kuadër të “hetimit pasuror”.

/tvklan.al