Ish-truproja Saimir Tahirit në akuzë për kultivim dhe trafik droge
Prokuroria e Posaçme kërkoi shpalljen të fajshëm dhe dënimin me 12 vite burg të Hekuran Markut, ish-truprojën e Saimir Tahirit për akuzën e kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike si pjesë e një grupi kriminal.
Marku është duke u gjykuar me procedurë të shkurtuar dhe nëse shpallet i fajshëm do të përfitojë ulje të dënimit, ndërkohë në seancën e radhës do dëgjohen pretendimet e tij.
Më herët ai ka mohuar akuzat duke pretenduar pafajësi me pretendimin se bashkëpunëtori i drejtësisë e ka përfshirë me pa të drejtë atë si pjesëmarrës në trafikun e lëndës narkotike.
Por SPAK në kërkesën për dënim thotë se është e provuar që Hekuran Marku dhe Agustin Deda, të dy në vitin 2016 shoqërues të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, kanë kultivuar dhe janë angazhuar në transportin e mbi 1 mijë kilogramë kanabis që u sekuestrua në Itali.
Për këtë episod, SPAK ka ende në kërkim Agustin Dedën.
Tv Klan