Lajme Arkiva 2003

Nëse mijëra kilometra larg Beogradit nuk do të zhvilloheshin luftime në qendër të Bagdadit ndoshta Samiti i nismës së vendeve të Evropës Juglindore do të ishte zhvilluar normalisht dhe në një stil rutinë e një deklaratë të përgjithshme që do të harrohej shpejt, por menjëherë u ndje se ky takim nuk do të ishte si gjithë të tjerët. Fakti se vetëm pak javë më parë ishte vrarë kryeministri serb Dindic, ndërsa vendi vazhdonte të ishte në gjendjen e jashtëzakonshme e kishte kthyer Samitin në një vend solidariteti me Serbinë, vendin që aq shumë rrezikoi të rrëshqiste edhe njëherë drejt kaosit.

Por natyrisht që lufta në Irak qëndrimet e ndryshme të vendeve pjesëmarrëse në takim ndaj kësaj çështjeje por edhe e ardhmja e pas luftës, shënuan përfundimisht takimin që në fakt duhet të përqendrohej në atë se si vendet e Evropës Juglindore duhet të bashkërendonin përpjekjet e tyre për integrim, mesa dukej përplasjet më të mëdha u shfaqën pikërisht aty ku pritej, te Iraku. Prej dy ditësh në Beograd drejtorët politik të ministrive të jashtme debatonin gjatë pikërisht në atë pjesë të deklaratës finale që bënte pjesë për luftën në Irak.Një ditë më vonë diskutimet vazhduan në rang ministrash të jashtëm.

Deri në momentet e fundit para deklaratës zyrtare ende negociohej mbi Irakun ndërsa presidenti Alfred Moisiu takohej me kryetarët e tjerë të shteteve pjesëmarrëse. Burimet diplomatike njoftojnë se megjithëse debati nuk ka qenë i ashpër diskutimet kanë qenë të gjata.

Burime pranë presidentit të Republikës Moisiu nxituan të pohonin se fakti se Shqipëria kishte nënshkruar deklaratën nuk do të thoshte se Tirana zyrtare dilte kundër Shteteve të Bashkuara mbi të ardhmen e Irakut të pasluftës dhe se deklarata megjithëse ishte miratuar me konsensus jo domosdoshmërishtë përfaqësonte qëndrimin e të gjitha vendeve.

Por vet presidenti Moisiu i dha fund këtyre spekulimeve duke pranuar se gjatë negocimit të deklaratës mbi Irakun  ishin vënë re divergjenca të ndryshme.

Alfred Moisiu: Deklarata ishte ajo që u lexua, deklarata ka disa ditë që punohet. Këtu ishin drejtorët politik të Ministrisë së Jashtme, dje janë marrë ministrat e jashtëm. Sot ne kryetarët e shteteve patë si të thuash rolin ose detyrën e miratimit të saj. Pati një, jo divergjencë por disa sugjerime në lidhje me theksimin e problemit të Irakut për çështjen e armëve dhe vendimit në masë.

 Dhe lajmin se deklarata finale mbështeste fort rolin primar dhe thelbësor të kombeve të bashkuara dhe jo të shteteve të bashkuara e dha për Tv Klan presidenti i Kroacisë Stjepan Mesic:

“Megjithëse lufta duket se po mbaron ne kemi qenë që ne fillim kundër saj dhe shpresojmë që të mbarojmë shpejt dhe me sa më pak dëme të ashtuquajtura kolaterale, pra anësore, dëme dhe viktima në njerëz dhe civil. Në deklaratën finale ne e kemi miratuar me konsensus se duhet të jenë kombet e bashkuara që të kenë rolin kryesor në Bagdad pra dhe në Irak në qeverisjen e vendit pas mbarimit të luftës”.

Jo pa interes u komentuan pjesëmarrja në takim dhe e kryekomisionerit evropian Romano Prodi si edhe e kryeministrit dhe ministrit të jashtëm të Greqisë vendit që kryesonte presidencën e radhës së Bashkimit Evropian por edhe kundërshtar i fortë dhe i hershëm i luftës në Irak.

Megjithëse ftesa për Prodi ishte bërë 9 muaj më parë, ai e kishte konfirmuar vizitën vetëm para pak ditësh. Vendet e Evropës Juglindore në fund të fundit ishin vende evropiane që kanë nevojë pikë së pari për para dhe ndihmën e Brukselit dhe jo të Washingtonit për tu integruar në Bashkimin Evropian.

Prezenca në Beogradë e Prodit ishte një kujtesë e heshtur se vendet e nismës së SEECP-it kishte ardhur koha ta provonin se ishin pikërisht vende të Evropës .

Alfred Moisiu: Fati jonë ose destinacioni jonë qofshin vende të mëdhenj apo të vegjël është Bashkimi Evropian. Vetvetiu kuptohet sepse përderisa jemi pjesë e Evropës nuk mund të mbetemi jashtë atij organizmi.

Sokol Balla: Solidariteti me autoritetet serbe pas vrasjes së kryeministrit Zoran Dindic, por edhe prania simbolike, por edhe thelbësore këtu e kryetarit të Komisionit Evropian Romano Prodi si edhe e kryetarit të radhës të BE-së kryeministrit grek Simitis bëri që debatet dhe diskutimet mes vendeve pjesëmarrëse në këtë takim  të shtyhen drejt konsensusit porsa i takon çështjes së Irakut. Kështu në deklaratën që u firmos edhe nga Shqipëria u theksua se është rol i kombeve të bashkuara primar dhe thelbësor në të ardhmen e Irakut të pasluftës. Shqipëria me nënshkrimin e kësaj deklarate bëri një hap thelbësor në drejtim të vendeve që janë përballë dhe kundër Shteteve të Bashkuara, të cilat nga ana e tyre kërkojnë që si aktorë kryesorë në luftë të kryejnë edhe rolin kryesor në paqe. Gjithsesi firmosja e kësaj deklarate nga ana e Shqipërisë dhe e vendeve të tjera në unison, lidhur me qëndrimin ndaj çështjes së Irakut bëri që ky samit të përfundoj ashtu siç nisi, një samit evropian dhe jo amerikan. Për Tv Klan Sokol Balla Beograd./tvklan.al