Të gjitha sportelet e Qendrës Kombëtare të Biznesit do të mbyllen dhe shërbimet do të merren vetëm online. Ky është propozimi i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, sipas së cilës shërbimet fizike tashmë do të transferohen në portalin e-albania, pa asnjë kosto shtesë për qytetarët.
“Miratimi i këtij projekligji do të sjellë një sërë efektesh pozitive të cilat lidhen me ofrimin e shërbimeve të QKB-së duke reduktuar kostot dhe kohën e pritjes së qytetarëve dhe subjekteve për marrjen e shërbimit, rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimeve të QKB-së online, nëpërmjet reduktimit të kohës së pritjes së qytetarëve në sportel dhe marrjes së shërbimeve nëpërmjet një infrastrukture moderne.”
Sipas projektligjit, digjitalizimi i këtyre shërbimeve parashikon lehtësira edhe në aksesin e të dhënave për subjekte të ndryshme, për të cilat kërkimi dhe ofrimi i shërbimit i lehtëson nga tarifat e sporteleve fizike.
“Është hequr tarifa për kryerjen e aplikimit dhe është rregulluar mënyra e lëshimit të certifikatës për rezervimin e emrit. Subjektet mund të kryejnë online kërkimin në bazën e të dhënave. QKB lëshon vetëm akte në format kopje të njëjtë me dokumentin elektronik.”
Ky projektligj është parashikuar të shoqërohet me efekte financiare në buxhetin e shtetit, ndërkohë që vlera reale e tij nuk është përllogaritur ende.
Tv Klan