Duke filluar nga 1 Tetori, pensionet do të indeksohen me 4.1% bazuar në llogaritjen e INSTAT të indeksit mesatar vjetor të muajit Gusht të këtij viti për mallrat e shportës për pensionistët. Lajmin e dha vetë Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja i cili theksoi se shtesa do të reflektohet tek pagesat e muajit Tetor dhe janë mbi 791 mijë përfitues.
Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit: Nga ky vendim përfitojnë 791,247 përfitues, pra pensionistë sipas numrit aktual të ndarë në këto dy kategori 721, 705 janë pensione nga skema e detyrueshme e pleqërisë, invaliditetit apo pensione familjare dhe 68, 613 janë pensione nga programe dhe trajtime të veçanta të qeverisë, si ushtarakët, punonjësit e minierave apo naftëtarët.
Ministri i Ekonomisë nënvizoi se fokusi i qeverisë është rishikimi i skemës së pensioneve dhe rritja e tyre.
Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit: Qeveria e Shqipërisë ka në vëmendje të veçantë në fokus, është një sfidë e jona për të garantuar një rritje të të ardhurave për pensionistët në mënyrë që të kemi një jetë sa më të denjë për ta dhe për këtë po punojmë për të studiuar të gjitha mënyrat për të pasur një rishikim të skemës, por edhe të mundësive për të arritur në një rritje të të ardhurave për këtë kategori, duke filluar nga fundi i vitit me një bonos i cili do të jetë i rishikuar dhe me një rritje.
Efektet financiare të indeksimit të pensioneve në masën 4.1% përllogariten në shumën e rreth 17 milionë eurove apo 1.7 miliard lekëve të cilat përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Klan News