Të blesh një shtëpi për strehim në Shqipëri kushton shtrenjtë, dhe sidmos për familjet dhe çiftet e reja me të ardhura mesatare. Drejtori i Entit Kombëtar të Banesave, Stefan Çipa tha se duhet që të rriten nismat e pushtetit lokal për të ndihmuar qytetarët për të mundësuar një apartament banimi.
Stefan Çipa: Të krijojmë një strehim të përballueshëm, të qëndrueshëm dhe të zgjidhet problemi i kësaj pjese të popullsisë që për mua është mbi 60% që nuk kanë mundësi për të marrë një strehim me kosto të lartë në vazhdimësi.
Sipas ekspertëve të pasurive të paluajtshme, por edhe shoqatës së tregut imobiliar në Shqipëri një lehtësim për të mundësuar strehimin është heqja e taksës prej 15%. Sipas ekspertit Reinaldo Pipiria kjo do të sillte dhe ulje të informalitetit.
Reinaldo Pipiria: Është momenti i duhur për tu marrë seriozisht me strehimin dhe 15% e transaksionit të pasurive të palujtshme. Patjetër që propozimi për rivlerësimin me mundësinë 3% është një zgjidhje, por nuk është një zgjidhje afatgjatë kështu që ne besojmë që në këtë moment do të duhet të rishikojmë të gjithë skemën duke parë edhe rastet e vendeve në Perëndim ku 2/3 e vendeve të OECD e kanë të përjashtuar strehimin, pra tregtimin e pasurisë që është banesë parësore e kanë të përjashtuar nga taksimi.
Tregu i pasurive të paluajshme ka shtuar edhe interesin e të huajve për të blerë pronë në Shqipëri.
Reinaldo Pipiria: Ka qenë duke u rritur vit pas viti nga 21% në 25 apo 26% aktualisht. Gama e blerësve është e lartë. Vijnë nga Europa Lindore, pjesa e Ukrainës, Polonisë deri tani në Europën Perëndimore, Gjermania veriore por në të njëjtën kohë ka një interes edhe përtej oqeanit si Amerikë dhe Kanada sidomos për projekte që janë duke u zhvilluar në zonën e Vlorës dhe Palasës.
Ekspertja Ilda Zaloshnja tha se në katër muajit e parë të këtij viti janë investuar nga të huajit 84 milionë Euro në tregun e pasurive të paluajtshme.
Ilda Zaloshnja: Edhe pse ka shumë debate lidhur me çmimet e pasurive të paluajtshme mendoj që çmimet në Shqipëri janë të ulëta në krahasim me vendet e tjera të rajonit rreth e përqark nesh. Investimet kryesisht ndodhin në zonat e bregdetin që nga veriu deri në ekstremin jugor të Shqipërisë. Kemi të dhëna për shtetas polak që kanë investuar shumë në zonën e Shëngjinit.
Gjatë konferencës për tregun imobiluar u kërkua edhe ngritja e një regjistri elektronik kombëtare për të gjitha pronat dhe pasuritë e paluajtshme që janë në shitje.
Klan News