Më 21 Mars, emisioni Stop transmetoi problemin e zonjës Varvara Kapurani, një 77-vjeçare nga Elbasani, e cila pas vdekjes së të shoqit dhe pas 55 viteve martesë, mbeti në mes të katër rrugëve. Kjo për shkak se njëra nga vajzat e saj e nxorri nga shtëpia duke falsifikuar firmën në bashkëpunim edhe me noteren.
77-vjeçarja ka thënë se kur qante të shoqin, njëra nga tre vajzat e saj i mori letrat e shtëpisë, duke arritur t’i marrë pronën e ta nxjerrë jashtë. Gjithçka nisi pasi një ditë çifti i të moshuarve u paraqit në zyrën e noteres Ilda Peza për t’i dhënë adresën, sikur e bija banonte në shtëpinë e tyre në mënyrë që vajza të merrte KEMP për të birin e sëmurë.
Pas vdekjes së të shoqit Tili Kapurani, Varvara shkoi tek e bija në Greqi, ku mësoi se kishte mbetur pa banesë, të cilën ia kishte zaptuar vajza Drita.
E moshuara e denoncoi në polici, ku mësoi se vajza kishte një akt dhurimi nga ajo vetë dhe bashkëshorti i ndjerë. Por Varvara tha se nuk di as të shkruajë e as të lexojë.
Në këto kushte, gjykata vendosi që të bllokohet shtëpia, por vajza zaptuese ishte futur brenda.
Emisioni Stop i drejtua Prokurorisë së Elbasanit dhe prokurori Xhilian Seferi komunikoi se rasti është regjistruar dhe do të procedohet sipas afateve.
“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan mbi bazën e materialit referues të ardhur nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan që bën fjalë për kallëzimin e shtetases Varvara Kapurani ka regjistruar procedimin penal nr.12/15 të vitit 2022 për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve të parashikuar nga neni 186 i KP. Kjo çështje penale është në fazën e hetimit paraprak dhe shtetësja Varvara Kapurani në cilësinë e kallëzueses do të njoftohet sa më shpejt”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Elbasan.
Zyra ligjore e emisionit “Stop” përgatiti një kërkesë për sigurim padie dhe rikthim në banesë për të moshuarën Varvara Kapurani. Gjykata pranoi këtë kërkesë-padi dhe ne shkuam te një përmbarues gjyqësor Ilia Elezi për ekzekutimin e vendimit.
“Jam shumë e lumtur. Është e pabesueshme por me ju çdo gjë është e mundur”, thotë znj.Varvara.
“Unë mendoj që do t’i drejtohemi vajzës tuaj e cila është dhe në cilësinë e debitores për ekzekutimin e këtij vendimi i cili është i ekzekutueshëm brenda 5 ditëve. Urime dhe shpresoj ta ekzekutojmë brenda 5 ditëve”, thotë përmbaruesi gjyqësor Ilia Elezi.
Sikurse e kërkon ligji, ekzistojnë 2 mënyra për të zbatuar vendimin e gjykatës. E para është vullnetare, që vajza në rastin konkret pasi i komunikohet vendimi gjyqësor të hapë derën e banesës. Nëse kjo nuk ndodh, brenda 5 ditësh vendimi i gjykatës duhet të ekzekutohet brenda 5 ditësh nga përmbaruesi gjyqësor i licencuar dhe nën shoqërinë e forcave policore të hapet me forcë dera e shtëpisë.
Përmbaruesi Ilia Elezi telefonoi vajzën e të moshuarës, Dritën, të cilën e vendosi në dijeni për vendimin gjyqësor duke ia komunikuar urdhrin. Por Drita nuk pranoi ta hapte vullnetarisht derën e shtëpisë për nënën e saj
Përmbaruesi: Kam një vendim të gjyqtares Idush Maliqi që sapo më ka ardhur në zyrë për ekzekutimin e masë sigurim padie dhe thotë duke urdhëruar palën e paditur Drita Topuzi të lejojë palën e paditur Varvara Kapurani të jetojë në banesë. Unë ju mora për korrektësi.
Drita: Unë nuk e lejoj Varvarën. Varvarën unë nuk e fus në shtëpi, as për gjallë dhe as për vdekje.Të pranojë të gjitha gabimet Varvara, pastaja të shohim dhe të bëjmë.
Përmbaruesi: Unë vetëm zbatoj një vendim gjykate dhe as mund të zgjidh hallet personale.
Drita: Në rregull! Edhe unë nuk e fus Varvarën në shtëpi.
Përmbaruesi: Ka një masë sigurim padie e cila ka vendosur ka vendosur që të ekzekutohet brenda 5 ditësh.
Drita: Kur të vij unë në Shqipëri, do flasim!
Përmbaruesi: Jo jo shiko pak. Deri sa ka një urdhër gjykate unë do jem i detyruar që ta hap derën tuaj në prani të policisë.
Drita: Jo ti derën time nuk do ta hapësh, pa ardhur unë!
Përmbaruesi: E hap ligji jo unë zonjë. Këtu nuk jemi në një seancë gjyqësore dhe as që mund të marrim vendime të tjera përveç atij të gjykatës.
Drita: Në rregull, në rregull, në rregull, e di unë atë punë! Do vij për 5 ditë. Hajt, mirupafshim!
Më 29 Maj, së bashku me përmbaruesin gjyqësor dhe me policinë, zonja Varvara arriti të futej në shtëpinë e saj.
Vajza tjetër e Varvarës, që i ka qëndruar pranë nënës që prej fillimit të këtij konflikti, tha se pas sigurim-padisë që e lejoi 77-vjeçaren të hynte në banesë, mori një kërcënim në rrjete sociale nga bashkëshorti i motrës së saj, Dritës.
“Më dërgoi mesazh kërcënimi në Facebook, hajdeni po patët ***** të hapni derën, do t’ju vras të tërëve. Bëra denoncimin”, thotë vajza tjetër e të moshuarës.
Pasi fut në shtëpinë e saj ku ka jetuar për më shumë se 50 vite, zonja Varvara u shpreh e gëzuar.
Ndërsa përmbaruesi gjyqësor theksoi se vendimi i gjykatës u zbatua dhe gjithçka është e dokumentuar me proces-verbal dhe me filmime.
“U ekzekutua urdhri i gjykatës. Zonja është futur në banesë, shumë e gëzuar. Vërtetë ishte gëzim edhe për ne që pas kaq kohësh është në shtëpinë e saj. U mbajt një procesverbal, u filmua gjithçka, u mbajt procesverbali dhe me shkrim dhe i filmuar ku do pajisen të gjitha palët me DVD dhe me shkresë përcjellëse që të gjitha orenditë siç janë të pasqyruara në proces-verbal do t’i jepen zonjës. Kështu që ne e quajmë të kryer këtë urdhër-ekzekutimi”, shtoi përmbaruesi gjyqësor.
Pas këtij hapi, në gjykatë vijon padia tjetër për falsifikimin e firmës të të moshuarës. /tvklan.al