Kapiteni i anijes së mallrave Solong që u përplas me një cisternë nafte në Detin e Veriut është një shtetas rus. 59-vjeçari është arrestuar nën dyshimin për vrasje të rëndë nga pakujdesia pas incidentit në brigjet angleze.
Stena Immaculate, e regjistruar në SHBA, që transportont karburant për ushtrinë amerikane, u përplas me Solong me flamur portugez në brigjet e Yorkshire Lindore të hënën. Kompania e transportit Ernst Russ, e cila zotëron Solong, konfirmoi se pjesa tjetër e ekuipazhit janë rusë dhe filipinas.
Sipas autoriteteve personi i arrestuar mbetet në paraburgim në këtë moment, ndërkohë që hetimet janë duke u zhvilluar për të përcaktuar rrethanat e plota të incidentit. 36 persona u shpëtuan pas përplasjes. 14 anëtarë ishin pjesë e ekuipazhit të Solong, një prej të cilëve mbetet i zhdukur dhe 23 ishin pjesëtar të Stena Immaculate.
Në dritë kanë dalë detaje të reja, ku është zbuluar se Solong dështoi në kontrollet e sigurisë vitin e kaluar. Dokumentet e inspektimit të kontrollit shtetëror portual nga Korriku i vitit të kaluar tregojnë se si zyrtarët paralajmëruan për probleme në lidhje me drejtimin e anijes.
Përplasja ndodhi në Detin e Veriut në brigjet e Yorkshire Lindore, në ujërat afër Hull dhe Grimsby. Menjëherë pas përplasjes, dhjetëra njerëz u detyruan të braktisin mjetet lundruese pasi ato morën flakë.
Stena Immaculate u nis nga një port në Greqi, sipas Marine Traffic, ndërsa Solong kishte ardhur nga porti skocez i Grangemouth dhe ishte rrugës për në Roterdam në Holandë.
Klan News