Në 21 qershor, në emisionin “Stop” në Tv Klan, u transmetua një rast korrupsioni në Shkodër. Rektorja e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Suzana Golemi dhe pedagogia Donalda Laçej, e lëndës biokimi mjekësore për 3 degët mami, infermieri dhe fizioterapi, merrnin para nga studentët për t’i kaluar në provime.
Nga 120 studentë, 110 prej tyre ishin ngelës në lëndën e biokimisë. Ata që kishin mundësi ekonomike, jepnin minimalisht 150 euro për të marrë provimin. Pas transmetimit tonë, u bë dhe pezullimi nga Ministria e Arsimit për rektoren dhe u proceduan penalisht për korrupsion e shpërdorim detyre Suzana Golemi dhe Donalda Lacej.
Pas 6 muajsh mësojmë se çështja është ende nën hetim. Por nga ana tjetër, edhe pse e pezulluar dhe nën hetim, zonja Golemi vazhdon të japë mësim e të marrë në provim studentët. Ne kemi mësuar se nuk është vetëm senati akademik, por edhe prokuroria, që e mban me hatër pedagogen.
Përfaqësuesja e akuzës Blerta Hamza, që po heton këtë rast, është pedagoge e jashtme e universitetit dhe çështja duhet të hetohet nga SPAK.
Arben Llangozi: Prokurorja e çështjes është në kushte të konfliktit të interesit në papajtueshmëri me detyrën. Referuar nenit 15, kodit të procedurës penale, kjo prokurore ka pasur detyrim të hiqte dorë për shkak se ajo është e punësuar ose ka qenë e punësuar pranë këtij universiteti. Prokuroria është duke favorizuar në mënyrë të qartë këtë funksionare të lartë të arsimit. Është dhe fakti sepse vepra penale për të cilën ajo është duke u hetuar është vepër penale e korrupsionit, e funksionarëve të lartë shtetërorë, gjë që gjen mbështetje në nenin 75 a të kodit të procedurës penale, e vendosur si kompetente për hetimin e kësaj çështjeje nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pra, Prokuroria e Shkodrës nuk është kompetente të hetojë këtë çështje, por është Prokuroria e Posaçme në Tiranë. /tvklan.al