Emisioni “Stop” në Tv Klan ka arritur të zbulojë një fakt domethënës që nxjerr automatikisht të pavlefshme të gjithë procedurën e prokurorit dhe gjyqtares Nertila Përallaj që kanë favorizuar atentatorin, duke i atribuar një vepër penale shumë herë më të lehtë se ajo që ai ka bërë realisht.
Veç të tjerash rezulton se avokati mbrojtës i atentatorit Fatos Lama, Malo Sadikaj, nuk e ka aktive licencën e avokatit që nga viti 2017 e deri tani.
I kontaktuar nga gazetari i “Stop”, avokati Malo Sadikaj pranon që nuk e kishte aktive licencën e avokatit, por ngul këmbë që përfaqësimi në gjyq nuk ndalohet nga mosrinovimi i saj.
Gazetari: Ju jeni avokati përfaqësues i Fatos Lama, unë e kam verifikuar tek Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe thuhet, që nga viti 2017, nuk e keni aktive licencën e avokatit, për arsye, që nuk ke paguar detyrimet…?!
Av.Malo Sadikaj: Jo mos u ngatërroni! Karta e avkatit është një marrëdhënie…çdo vit. Është një marrëdhënie midis Dhomës dhe avokatit.
Gazetari: që rinovohet çdo vit… por duhet të jesh i licencuar, se unë e di!
Av.Malo Sadikaj: Jo licencë, mos i ngatërro gjërat i nderuar!
Gazetari: Kartën e avokatit dhe rinovohet çdo vit.
Av.Malo Sadikaj: Çdo vit po nuk është licencë ajo…,avokat më ka bërë Universiteti i Tiranës mua.
Gazetari: E kuptoj, por nuk mund të përfaqësosh në gjyq. Unë të kuptoj shumë qartë, por aktet, që ju keni përfaqësuar të pandehurin, mund të dalin nul..Ma kupton logjikën? E ke takuar në burg..që në 2017-ën, që nuk ke paguar detyrimet.
Av.Malo Sadikaj: S’ka shance! S’është kjo licenca, që më jep të drejtën të ushtroj profesionin…,nuk ma jep Dhoma..,e ke gabim i nderuar.
Gazetari: Që në 2017-ën, që nuk ke paguar detyrimet.
Av.Malo Sadikaj: Është një marrëdhënie financiare midis meje dhe Dhomës së Avokatisë e cila nuk më privon dot që të ushtroj profesionin.
Të nesërmen e takimit me gazetarin, Malo Sadikaj pagoi detyrimet që nga viti 2017 në Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe më 13 nëntor 2024 u pajis me licencë aktive.
Ky është një skandal i rëndë që kërkon hetime nga organet kompetente, përfshirë ILD, KLP, KLGJ dhe SPAK, për të zbuluar nëse avokati Sadikaj ka vepruar si sekser dhe ka shpëtuar nga kontrollet ligjore./tvklan.al