Ushtria e Tel Avivit godet në veri të Libanit, larg zonave kryesore ku grupi militant Hezbollah ka ndikim. Deri më tani fokusi i sulmeve ka qenë jugu i vendit dhe periferitë e Bejrutit. Si pasojë e sulmeve të fundit në qytetin Aitou mbetën të vrarë të paktën 18 persona.

Përveç viktimave, raportohet edhe për të plagosur. Izraeli urdhëroi banorët e zonave në veri të lumit Awali, të evakuuohen pasi ka intensifikuar sulmet në rajon. 

Nga bombardimet izraelite mbeti i vrarë Muhammad Kamel Naim, komandanti i një njësisë së Hezbollahut në zonën Nabatieh. Por ushtria vijoi goditjet edhe në Gaza, aty ku të paktën 10 persona  humbën jetën. Sulmet goditën njerëzit që ishin në radhë për ushqim, në Jabalia, një nga tetë kampet e refugjatëve në Rripin e Gazës. Në mesin e viktimave ka gra edhe fëmijë.

Jabalia ka qenë në shënjestër për rreth 10 ditë dhe ushtria tani ka rrethuar kampin duke dërguar tanke në qytetet e afërta Beit Lahiya dhe Beit Hanoun, me qëllimin për të zhdukur luftëtarët e Hamasit.

Agjencia e lajmeve “Reuters” shkruan se Izraeli planifikon të zbrazë Jabalinë dhe ndoshta të gjithë veriun e Gazës. Në këtë mënyrë nuk do të ketë asnjë civil në Gaza dhe militantët e Hamasit do të dorëzohen.

Ndërkohë, Lindja e Mesme mbetet në gatishmëri të lartë për një hakmarrje të mundshme të Izraelit  kundër Iranit.

Klan News