Pas sulmit masiv nga ajri me dronë dhe raketa, Presidenti i SHBA, Joe Biden ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin izraelit, Netanjahu, të cilit i riafirmoi angazhimin e palëkundur të Amerikës ndaj Izraelit.
“I thashë se Izraeli demonstroi një kapacitet të jashtëzakonshëm për t’u mbrojtur dhe mposhtur edhe sulme të paprecedentë. Duke vepruar kështu, Izraeli u ka dërguar një mesazh të qartë armiqve të tij se ata nuk mund të kërcënojnë efektivisht sigurinë e Izraelit”, tha Biden.
Presidenti Biden e përfundon deklaratën e tij duke thënë se ai do të mbledhë udhëheqësit e G7 gjatë ditës së sotme për të bashkërenduar një përgjigje të bashkuar diplomatike ndaj sulmit të Iranit. Ai shtoi se ekipi i tij do të mbetet në kontakt të ngushtë me udhëheqësit e Izraelit.
Por si reaguan anëtarët e G7 ndaj lajmit për sulmin iranian ndaj Izraelit?
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak: Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbrojë sigurinë e Izraelit dhe atë të të gjithë partnerëve tanë rajonalë. Krahas aleatëve tanë, ne po punojmë urgjentisht për të stabilizuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Askush nuk dëshiron të shohë më shumë gjakderdhje.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau: Pas mbështetjes së sulmit brutal të Hamasit të 7 Tetorit, veprimet e fundit të regjimit iranian do të destabilizojnë më tej rajonin dhe do ta bëjnë paqen e qëndrueshme më të vështirë.
Ministri i Jashtëm francez, Stephane Sejourne: Duke vendosur për një veprim të tillë të paprecedentë, Irani po ndërmerr një hap të ri në veprimet e tij destabilizuese dhe po merr rrezikun e një përshkallëzimi ushtarak.
Ambasadori gjerman në Izrael, Steffen Seibert: Solidariteti i Gjermanisë është me të gjithë izraelitët sonte, të cilët Irani po i terrorizon me këtë sulm të paprecedentë dhe të pamëshirshëm.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sot për një takim urgjent lidhur me sulmin me dron dhe raketë të Iranit ndaj Izraelit. Takimi u kërkua nga Izraeli, i cili i shkroi në një letër presidentes së këshillit, Vanessa Frazier, se sulmet paraqesin një kërcënim të madh për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Në letër akuzohet Irani se ka shkelur detyrimet e tij ndërkombëtare dhe se është arkitekti i destabilitetit për vite me radhë përmes mbështetjes të tij për Hamasin në Gaza, Hezbollahun në Liban dhe Houthis në Jemen./tvklan.al