– Izraeli ka deklaruar se rreth 300 dronë dhe raketa u hodhën nga Irani teksa ka shtuar se disa prej tyre erdhën nga Iraku dhe Jemeni. Sulmi është një hakmarrje për një sulm që vrau një komandant ushtarak iranian dhe vartës në Damask në fillim të këtij muaji, që Teherani beson se e kreu Izraeli.

– Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale treguan shpërthime të fuqishme mbi Jerusalem, ndërsa mbrojtja izraelite punoi për të mposhtur sulmin e Iranit. Forcat izraelite thanë se 99% e dronëve ose raketave u rrëzuan përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite me mbështetjen e SHBA-së dhe aleatëve.

– Nga ana tjetër, Presidenti Joe Biden tha se SHBA ndihmoi Izraelin të rrëzonte pothuajse të gjithë dronët. Kjo është hera e parë që Teherani ka sulmuar drejtpërdrejt Izraelin pas vitesh të tëra që po zhvillon luftëra me anëtarët e tij, duke përfshirë Hezbollahun dhe Hamasin.

-Ministri i Mbrojtjes i Izrealit, Yoav Gallant ka thënë se janë shkaktuar shumë pak dëme si pasojë e sulmi të Iranit, teksa ka shtuar se asgjë nuk ka përfunduar ende duke shtuar se duhet të qëndrojnë vigjilentë dhe të përgatitur për çdo skenar.

– Misioni i Iranit në OKB citoi dispozitën e Kartës së OKB-së për vetëmbrojtje dhe tha se e konsideronte çështjen të përfunduar. Megjithatë, paralajmëroi se do të përdorte më shumë forcë nëse Izraeli përgjigjet në të njëjtën mënyrë.


Irani njoftoi paraprakisht Turqinë për sulmin ndaj Izraelit

Foto: Mbetjet e një rakete iraniane e rrëzuar në territorin izraelit

Irani e njoftoi paraprakisht Turqinë për sulmin me dronë dhe raketa që do të kryente ndaj Izraelit.

Kështu ka mësuar Reuters nga një burim diplomatik në Turqi, që tha se autoritetet turke ishin vënë në dijeni disa orë para sulmit ndaj Izraelit.

I njëjti diplomat tha se SHBA i kishin përcjellë Iranit, përmes Turqisë, që operacioni ndaj Izraelit duhet të ishte “brenda kufijve të caktuar”, duke qenë se hakmarrja iraniane pritej.

Edhe disa ditë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, bisedoi me ministrin e Jashtëm turk duke i bërë të qartë se përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme nuk është në interesin e askujt.


Ministri izraelit paralajmëron: Irani do ta paguajë në mënyrën dhe në kohën e duhur

Irani do ta paguajë në mënyrën dhe në kohën e duhur sulmin me dronë dhe raketa ndaj Izraelit.

Kështu u shpreh ministri izraelit i kabinetit të luftës, Benny Gantz duke folur për sulmin e Iranit ndaj Izraelit me dronë dhe raketa.

“Irani e pa fuqinë e sistemit izraelit të sigurisë”, theksoi Gantz duke ju referuar dëmit minimal që shkaktoi sulmi me dronë, pasi 99% e tyre u shkatërruan në ajër.

Bota qëndroi qartësisht me Izraelin përballë rrezikut. Por kjo ngjarje nuk ka përfunduar. Është e nevojshme të ndërtohet një koalicion rajonal”, vijoi ministri izraelit.

“Përballë dëshirës së armiqve tanë për të na dëmtuar, ne do të vazhdojmë të bashkohemi dhe të bëhemi më të fortë”, u shpreh Gantz, i cili bëri me dije se kishte zhvilluar edhe një bisedë telefonike me ministren e Jashtme të Gjermanisë.


Hakmarrja e Iranit ndez një front të ri lufte/ Frikë nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme

Hakmarrja e drejtpërdrejtë e Iranit kundër Izraelit hap një fazë të re në këtë konflikt të ndezur. Niveli i rrezikut rritet, kostot rriten për të gjithë: Iran, Izrael, Amerikë. Mundësia e një lufte të drejtpërdrejtë midis Izraelit dhe Iranit dukej ende mjaft e largët më 7 Tetor 2023, por një sulm nga territori i Iranit është një ngjarje historike. Për dekada, Izraeli dhe Irani kanë patur një betejë në hije.

Breshëria e dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani në Izrael të shtunën shënoi një pikë tjetër në konflikt. Irani ka përdorur kryesisht përfaqësues të huaj për të goditur interesat izraelite, ndërsa vrasjet me shënjestër liderët ushtarakë iranianë dhe shkencëtarët bërthamorë kanë qenë një pjesë kyçe e strategjisë së Izraelit.

Në Janar të 2020 Izraeli përshëndeti me kënaqësi vrasjen e gjeneral-major Qassim Suleimani, komandantit të krahut të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, në një sulm me dron amerikan në Bagdad. Irani u kundërpërgjigj duke sulmuar dy baza në Irak që strehonin trupat amerikane me një breshëri raketash, duke plagosur rreth 100 personel ushtarak amerikan.

Zyrtarët amerikanë thanë se gjenerali Suleimani qëndron pas destabilizimit të aktiviteteve iraniane në të gjithë Lindjen e Mesme dhe se ai akuzohej për komplot sulmesh kundër ambasadave të SHBA-së dhe objektivave izraelite.

Në Dhjetor 2023 pasi bombardimet e Izraelit mbi Gazën filluan në përgjigje të sulmeve të 7 tetorit të udhëhequr nga Hamasi, milicitë e mbështetur nga Irani i shtuan sulmet e tyre. Në janar 2024 një shpërthim në një periferi të Bejrutit, Liban, vrau Saleh al-Arouri, një udhëheqës i Hamasit, së bashku me dy komandantë nga krahu i armatosur i atij grupi, vrasja e parë e një zyrtari të lartë të Hamasit jashtë Bregut Perëndimor dhe Gazës në vitet e fundit.

Irani kishte kohë që paralajmëronte se do të fillonte një sulm ndaj Izraelit si hakmarrje ndaj një sulmi ndaj ndërtesës së konsullatës iraniane në kryeqytetin e Sirisë, Damask, në 1 Prill. Avionët izraelitë shënjestruan ndërtesën e konsullatës iraniane ku mbetën të vrarë shtatë oficerë të Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit (IRGC), duke përfshirë komandantët e lartë.

Izraeli është zotuar për “një përgjigje të rëndësishme. Objektivat më të mundshëm do të jenë bazat iraniane që lëshuan ato raketa, por mund të vendosë të shkojë më tej dhe të godasë bazat kryesore ushtarake iraniane dhe qendrat e trajnimit të Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit në të gjithë vendin, duke shkaktuar viktima si dhe dëme materiale.

Përgjimi i raketave iraniane, dronët i kushtuan Izraelit 1.35 miliardë Dollarë brenda një nate. I zhvilluar nga Izraeli me mbështetjen e SHBA-së, është i specializuar në rrëzimin e raketave me rreze të shkurtër veprimi. Ajo ka kapur mijëra raketa që kur u aktivizua në fillim të dekadës së kaluar edhe gjatë luftës aktuale kundër Hamasit dhe Hezbollahut dhe ka një shkallë suksesi mbi 90%.

Michael Oren, ish-ambasador izraelit në Shtetet e Bashkuara për CNN ka deklaruar se rregullat duhet të ndryshohen pas sulmit të së shtunës. Sipas tij asnjë palë nuk do konflikt më të gjerë në rajon. Hakmarrja ushtarake nuk është përgjigja e vetme në dispozicion, por sanksione të mëtejshme ndërkombëtare kundër Iranit mund të jenë të mundshme.


Sulmi i Iranit bllokoi turoperatorët shqiptarë, Duro nga Izraeli rrëfen përjetimet për Klan News

Sulmi i Iranit me dronë dhe raketa ka bllokuar disa turoperatorë shqiptarë në Izrael. Në një lidhje direkte për Klan News, Drejtoresha e Përgjithshme e Turizmit, Herida Duro, e cila ndodhet në Izrael ka treguar me detaje se si e kanë përjetuar këtë sulm.

Gjatë fjalës së saj, Duro ka thënë se sulmi është menaxhuar me qetësi dhe nuk kanë përjetuar momente paniku. Më tej, ajo është shprehur se kjo ka sjellë bllokim të fluturimeve, por që pritet të nisen mbrëmjen e sotme drejt Qipros për t’u kthyer ditën e nesërme në Tiranë.

Herida Duro: Ne jemi të vendosur në hotelin ku dhe kishim rezervuar paraprakisht që para ardhjes tonë në Izrael, në mes të Tel Avivit, në një prej lagjeve me prezencë të vizitorëve të huaj kryesisht. Mendoj se jemi në një normalitet për vetë situatën dhe menaxhimin se si autoritetet këtu e menaxhojnë një situatë të tillë, e përsëritur tashmë. Nuk ka as panik dhe është e menaxhuar me qetësi.

Enita Mema: Ju kur duhet të niseshit për Shqipëri, si është situata e fluturimeve?

Herida Duro: Përveç orarit të fluturimeve që janë spostuar për shkak dhe orëve që nuk bëhet e mundur të fluturohej, kemi një spostim të orarit. Ne do të nisemi sot në mbrëmje drejt Qipros për t’u kthyer gjatë ditës së nesërme në Tiranë. Axhenda ishte parashikuar e tillë në 3 ditë intensive. Situata nuk ndryshoi asgjë nga itenerari i planifikuar dhe të gjitha takimet u zhvilluan të plota.

Enita Mema: Si e keni përjetuar ditën e djeshme, sulmin e Iranit? Si u soll e gjithë struktura aty ku ndodheshit juve?

Herida Duro: Në momentin më të parë, informacionin e morëm nga ambasadorja që pa na krijuar panik, na informoi se në 48 orët e ardhshme, Irani do të kishte një sulm të mundshëm. Paralelisht, vazhduam të gjithë programin e ditës, dje patëm dhe vizitë të rëndësishme në Jeruzalem. Nuk patëm asnjëlloj ndjesie negative për vetë faktin që Tel Aviv ka një nivel shumë të lartë sigurie.

Enita Mema: Sa është numri i shqiptarëve në këtë delegacion?

Herida DuroDelegacioni është i përbërë nga përfaqësues të Unionit Turistik Shqiptar dhe nga përfaqësuesi i Ministrisë së Turizmit. Ne kemi bërë propozimet tona. Ne duhet të niseshim sot herët në mëngjes, por për shkak të bllokimit të disa linjave ajrore, por tani kemi gjetur udhëtimin e radhës dhe besoj se do të jemi në shtëpi shëndosh e mirë shumë shpejt.


Rama: Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedentë të nisur nga Irani kundër Izraelit

Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar lidhur me sulmin e Iranit në Izrael. Përmes një postimi në “X”, kryeministri Rama thotë se Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedentë të nisur nga Irani kundër Izraelit.

Ky sulm për kryeministrin Rama përbën një kërcënim për të destabilizuar Lindjen e Mesme në mënyrë të pakthyeshme. Më tej, Rama shpreh mbështetjen për popullin izraelit dhe përpjekjet e partnerëve drejt de-përshkallëzimit.

Në postimin e fundit, Rama sjell vëmendjen dhe tek konflikti Izrael-Hamas për të cilën thotë se Shqipëria thekson nevojën kritike për një armëpushim në Gaza, duke u siguruar që të gjithë pengjet të mund të kthehen të sigurt në shtëpi.

“Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedentë të nisur nga Irani kundër Izraelit, i cili përbën një kërcënim për të destabilizuar rajonin në mënyrë të pakthyeshme. Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin izraelit dhe mbështesim plotësisht përpjekjet e partnerëve tanë drejt de-përshkallëzimit. Shqipëria thekson nevojën kritike për një armëpushim në Gaza, duke u siguruar që të gjithë pengjet të mund të kthehen të sigurt në shtëpi”, shkruan kryeministri Rama në rrjetin social “X”.


Bota dënon ashpër sulmin hakmarrës të Iranit

Liderët botërorë kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin hakmarrës ndaj Izraelit disa duke akuzuar hapur Teheranin. Një pjesë e tyre kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje në Lindjen e Mesme.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres kërkoi ndalimin e menjëhershëm të armiqësive në Lindjen e Mesme.

U bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale për të shmangur çdo veprim që mund të çojë në konfrontime të mëdha ushtarake në fronte të shumta në Lindjen e Mesme”, tha Guterres në një seri postimesh në X.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau tha se sulmet “dëshmojnë edhe një herë shpërfilljen e regjimit iranian për paqe dhe stabilitet në rajon. Kanadaja mbështet të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij nga këto sulme.

Kina shprehu shqetësim të thellë për përshkallëzimin aktual duke shtuar se ishte një përhapje e konfliktit dhe një armëpushim duhet të zbatohet pa vonesë. Pekini u bëri thirrje palëve përkatëse të ushtrojnë qetësi dhe vetëpërmbajtje.

Pakistani tha se sulmet ishin pasojat e prishjes së diplomacisë. Arabia Saudite, një rival i madh rajonal i Iranit, theksoi rëndësinë e parandalimit të çdo përkeqësimi të mëtejshëm të krizës, duke paralajmëruar pasoja të rënda.

Ministria e Jashtme e Egjiptit i quajti zhvillimet e fundit një përshkallëzim të rrezikshëm dhe tha se nuk janë asgjë tjetër veçse një rezultat i drejtpërdrejtë i asaj që Egjipti ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur, në lidhje me rreziqet e zgjerimit të konfliktit në rajon. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se vendi i tij “është gati për çdo skenar”.

Në vitet e fundit, e sidomos në javët e fundit, Izraeli është përgatitur për një sulm të drejtpërdrejtë nga Irani. Shteti i Izraelit është i fortë”, tha ai.

Mes të tjerash edhe Kryeministri britanik, Rishi Sunak, tha se sulmet e Iranit rrezikojnë të destabilizojnë rajonin.

Irani ka dëshmuar edhe një herë se do të shkaktojë kaos në oborrin e tij”, tha ai.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell si dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e kanë dënuar sulmin në termat më të ashpër dhe e kanë konsideruar si një “përshkallëzim të paprecedentë” dhe një kërcënim të rëndë për sigurinë rajonale.

Rivali republikan i Bidenit Donald Trump, iu referua sulmeve ajrore në një tubim në Pensilvani, duke kritikuar rivalin e tij demokrat.

“Ata janë nën sulm tani. Kjo sepse ne tregojmë dobësi të madhe. Kjo nuk do të ndodhte, dobësia që kemi treguar, është e pabesueshme dhe nuk do të kishte ndodhur nëse do të ishim në detyrë”, u shpreh Trump.

Presidenti i SHBA Joe Biden do të mbajë një takim me liderët e G7 për të koordinuar një përgjigje diplomatike ndaj atij që ai e quajti sulmin e pacipë të Iranit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se Amerika nuk kërkon konflikt me Iranin, por nuk do të hezitojë të veprojë për të mbrojtur forcat amerikane dhe për të mbështetur mbrojtjen e Izraelit.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së është caktuar të mblidhet pasditen e së dielës pasi Izraeli kërkoi të dënohet sulmi i Iranit dhe Garda Revolucionare e Iranit të caktohet organizatë terroriste.


Presidenti Begaj: Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit. Përmes një postimi në ‘X’, Begaj shprehet se dënon ashpër sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit duke shpresuar se nuk do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm.

Ndër të tjera në postimin e tij, Begaj thekson se çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme.

“Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit dhe shpreh shpresën se nuk do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe të ketë efekte të pakthyeshme në një shkallë më të gjerë”, shkruan Presidenti Begaj.


Sulmi i Iranit/ Izraeli: Nuk ka mbaruar ende, të përgatitemi për çdo skenar

Ushtria izraelite ka deklaruar se 99% e breshërisë së raketave dhe dronëve që synuan sulmimin e territorit të Izraelit nga Irani gjatë natës u kapën pa goditur objektivat e tyre me ndihmën e SHBA-së dhe aleatëve.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Izrealit, Yoav Gallant ka thënë se janë shkaktuar shumë pak dëme si pasojë e sulmi të Iranit, teksa ka shtuar se asgjë nuk ka përfunduar ende duke shtuar se duhet të qëndrojnë vigjilentë dhe të përgatitur për çdo skenar.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka shkruar në rrjetet sociale se ata do të fitojnë, ndërsa presidenti i vendit Isaac Herzog vlerësoi forcat mbrojtëse izraelite dhe tha se e mira do të kapërcejë forcat e së keqes.

Ky ishte sulmi i parë i drejtpërdrejtë i Iranit ndaj Izraelit, duke përfshirë më shumë se 300 dronë dhe raketa. Irani thotë se sulmi i arriti të gjitha objektivat e tij dhe ishte në përgjigje të një sulmi që vrau komandantët iranianë në Damask më 1 Prill.

Gjatë ditës së sotme, Irani përsëriti paralajmërimin e tij kundërhakmarrjes së Izraelit duke thënë se kjo do të çonte në veprime edhe më të rënda. Ndërkohë, SHBA ka thirrur një takim të liderëve të G7 për të bashkërenduar përgjigjen e tyre ndaj sulmit.


Irani paralajmëron Izraelin: Nëse hakmerreni, reagimi do të jetë më i fuqishëm

Irani ka përsëritur paralajmërimin për Izraelin që të mos i përgjigjet sulmit me dronë dhe raketa ndaj territorit izraelit, duke thënë se hapat e tij të ardhshëm do të jenë më të fuqishëm nëse kjo do të ndodhë.

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, Mohammad Bagheri, tha për televizionin shtetëror se nëse Izraeli hakmerret, përgjigja e Iranit do të ishte shumë më e fuqishme sesa bombardimi gjatë natës.

Irani paralajmëroi gjithashtu Uashingtonin se mbështetja e hakmarrjes izraelite do të çonte në shënjestrimin e bazave amerikane.

Më herët, misioni i Iranit në OKB citoi dispozitën e Kartës së OKB-së për vetëmbrojtje, dhe tha se vendi e konsideron se çështjen e përfunduar pas breshërisë së tij kundër Izraelit, ndërsa paralajmëroi gjithashtu izraelitët që të mos bëjnë atë që e quajnë “një gabim tjetër”.


OKB: Bota nuk mund të përballojë një luftë tjetër

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit, duke thënë se ai u kërkon të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale.

“Unë u bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale për të shmangur çdo veprim që mund të çojë në konfrontime të mëdha ushtarake në fronte të shumta në Lindjen e Mesme. Unë kam theksuar vazhdimisht se as rajoni dhe as bota nuk mund të përballojnë një luftë tjetër.”


Ministri Hasani: Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit, kërcënim i rëndë për Lindjen e Mesme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit. Në një postim në rrjetin social “X”, ministri Hasani ka thënë se ky përshkallëzim është një kërcënim i rëndë për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë rajonit.

Më tej në postimin e tij, ministri Hasani ka shtuar se ky sulm rrezikon të sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh në të gjithë Lindjen e Mesme.

Hasani e mbyll postimin me një këshillë për shqiptarët në këtë rajon, që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për përditësimet e sigurisë publike dhe të kontaktojnë ambasadat tona për ndihmë.

“Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit. Ky përshkallëzim është një kërcënim i rëndë për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë rajonit. Rrezikon të sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh në të gjithë Lindjen e Mesme. Këshillojmë shqiptarët në këtë rajon, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për përditësimet e sigurisë publike dhe të kontaktojnë ambasadat tona për ndihmë”, shkruan Hasani.


Si reaguan anëtarët e G7 ndaj lajmit për sulmin iranian ndaj Izraelit?

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak: Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbrojë sigurinë e Izraelit dhe atë të të gjithë partnerëve tanë rajonalë. Krahas aleatëve tanë, ne po punojmë urgjentisht për të stabilizuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Askush nuk dëshiron të shohë më shumë gjakderdhje.

Kryeministri kanadez, Justin TrudeauPas mbështetjes së sulmit brutal të Hamasit të 7 Tetorit, veprimet e fundit të regjimit iranian do të destabilizojnë më tej rajonin dhe do ta bëjnë paqen e qëndrueshme më të vështirë.

Ministri i Jashtëm francez, Stephane SejourneDuke vendosur për një veprim të tillë të paprecedentë, Irani po ndërmerr një hap të ri në veprimet e tij destabilizuese dhe po merr rrezikun e një përshkallëzimi ushtarak.

Ambasadori gjerman në Izrael, Steffen SeibertSolidariteti i Gjermanisë është me të gjithë izraelitët sonte, të cilët Irani po i terrorizon me këtë sulm të paprecedentë dhe të pamëshirshëm.

Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sot për një takim urgjent lidhur me sulmin me dron dhe raketë të Iranit ndaj Izraelit. Takimi u kërkua nga Izraeli, i cili i shkroi në një letër presidentes së këshillit, Vanessa Frazier, se sulmet paraqesin një kërcënim të madh për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Në letër akuzohet Irani se ka shkelur detyrimet e tij ndërkombëtare dhe se është arkitekti i destabilitetit për vite me radhë përmes mbështetjes të tij për Hamasin në Gaza, Hezbollahun në Liban dhe Houthis në Jemen.


Sulmi i Iranit ndaj Izraelit, Biden do të mbledhë sot liderët e G7

Pas sulmit masiv nga ajri me dronë dhe raketa, Presidenti i SHBA, Joe Biden ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin izraelit, Netanjahu, të cilit i riafirmoi angazhimin e palëkundur të Amerikës ndaj Izraelit.

“I thashë se Izraeli demonstroi një kapacitet të jashtëzakonshëm për t’u mbrojtur dhe mposhtur edhe sulme të paprecedentë. Duke vepruar kështu, Izraeli u ka dërguar një mesazh të qartë armiqve të tij se ata nuk mund të kërcënojnë efektivisht sigurinë e Izraelit”, tha Biden.

Presidenti Biden e përfundon deklaratën e tij duke thënë se ai do të mbledhë udhëheqësit e G7 gjatë ditës së sotme për të bashkërenduar një përgjigje të bashkuar diplomatike ndaj sulmit të Iranit. Ai shtoi se ekipi i tij do të mbetet në kontakt të ngushtë me udhëheqësit e Izraelit.

Jordania dhe Izraeli rihapin hapësirën ajrore

Shtatë orë pas mbylljes së hapësirës ajrore, Izraeli njoftoi se do të rihapë hapësirën e tij ajrore në orën 08:30 me orën lokale, njoftoi autoriteti i aeroporteve të vendit.

Jordania ka njoftuar gjithashtu se do të rihapë hapësirën e saj ajrore pasi e mbyllë atë gjatë orëve të vona të së shtunës, sipas televizionit shtetëror që citoi autoritetet jordaneze të aviacionit.


Sulmi në Izrael, mblidhet sot Këshilli i Sigurimit i OKB-së

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sot për një takim urgjent lidhur me sulmin me dron dhe raketë të Iranit ndaj Izraelit. Takimi u kërkua nga Izraeli, i cili i shkroi në një letër presidentes së këshillit, Vanessa Frazier, se sulmet paraqesin një kërcënim të madh për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Në letër akuzohet Irani se ka shkelur detyrimet e tij ndërkombëtare dhe se është arkitekti i destabilitetit për vite me radhë përmes mbështetjes të tij për Hamasin në Gaza, Hezbollahun në Liban dhe Houthis në Jemen.


/tvklan.al