Pas goditjes fatale në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, autori i dyshuar ndodhet në paraburgim. Ndaj mjekut 50-vjeçar rëndojnë akuzat për vrasje, tentativa të shumta për vrasje dhe disa akuza për lëndime të rënda trupore.

I dyshuari është përmendur në mediat lokale si Taleb al-Abdulmohsen, një shtetas saudit 50-vjeçar, i cili mbërriti në Gjermani në vitin 2006 dhe kishte punuar si mjek.

Ai kishte një faqe interneti që synonte të ndihmonte myslimanët e tjerë të largoheshin nga persekutimi në atdheun e tyre. Autori i dyshuar nuk ka lidhje të njohura me ekstremizmin islamik.

Mediat dhe postimet e tij sociale lënë të kuptohet se ai kishte qenë kritik ndaj islamit.Gjithashtu kishte sinjalizime rreth postimeve shqetësuese që Taleb al-Abdulmohsen kishte bërë në rrjetet sociale duke paralajmëruar se “diçka e madhe do të ndodhë në Gjermani”.

Tashmë është zbuluar se Arabia Saudite kishte lajmëruar vazhdimisht policinë gjermane për shtetasin e tyre al-Abdulmohsen, që jeton në Gjermani që nga viti 2006. Në rrjetet sociale ai ka shkruar “a ka një rrugë drejt drejtësisë pa masakruar qytetarët gjermanë pa dallim?”

Hetuesit thanë se ishte një autor i vetëm që kreu krimin dhe nuk ka prova për një person të dytë. Sipas të dhënave të policisë, ky person përdori korsinë e emergjencës  për të futur makinën e tij në tregun e Krishtlindjeve.

Sipas autoriteteve, katër gra të moshës 45, 52, 67 dhe 75 vjeç dhe një djalë nëntë vjeçar ndërruan jetë. Ende nuk është e qartë nëse motivi mund të ketë qenë një pakënaqësi me mënyrën se si refugjatët e Arabisë Saudite trajtohen në Gjermani.

Shumë njerëz në Magdeburg mbajtën një ceremoni për viktimat dhe të afërmit e tyre. Sipas vlerësimeve të policisë, më shumë se 1000 njerëz morën pjesë në përkujtimoren para katedrales ku u vendos një ekran i madh në të cilin u transmetua një meshë nga katedralja.

Mesha u ndoq nga familjet e viktimave, punonjës të urgjencës dhe zyrtarë të qeverisë federale, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz. Qytetarët vendosën lule dhe ndezën qirinj për viktimat. Klan News