Zyrat qëndrore të një depoje farmaceutike në Tiranë janë sulmuar me breshëri arme.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës rreth orës 02:00, por është raportuar në polici në mëngjes rreth orës 08:00.
Sipas informacioneve, persona të armatosur kanë qëlluar me breshëri arme në drejtim të fasadës së jashtme të këtij biznesi.
Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar por vetëm dëme materiale.
Gazetari i Klan News Besar Bajraktari ka mësuar se drejt fasadës së godinës është qëlluar të paktën 30 herë me kallashnikov nga një makinë. Fillimisht automjeti në të cilin dyshohet se kanë qenë dy persona është ndaluar, kanë qëlluar dhe me pas janë larguar drejt Vorës nëpërmjet rrugës dytësore.
Në momentin e të shtënave roja i sigurisë së godinës ka qenë brenda në kabinë dhe para hetuesve ka treguar se ka dëgjuar zhurmë, ka dalë jashtë por nuk ka konstatuar asgjë dhe nuk ka njoftuar policinë.
Në mëngjes shenjat e plumbave i kanë konstatuar punonjësit e biznesit, të cilët kanë thirrur menjëherë policinë.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Rreth orës 08:10, në sallën operative të DVP Tiranë, ka ardhur njoftimi se në rrugën dytësore të autostradës “Durrës – Tiranë”, gjatë natës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të fasadës së një ndërtese.
Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.
/tvklan.al