Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dëshiron një takim me Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në fund të Prillit.

Bloomberg duke cituar zyrtarë të njohur me këtë çështje shkruan se Erdogan i sheh lidhjet SHBA-Turqi si vendimtare për stabilitetin rajonal, veçanërisht pasi Ankaraja kërkon një rol më të madh në ndërmjetësimin e konflikteve nga Ukraina në Siri.

Shtëpia e Bardhë ende nuk e ka konfirmuar nëse do të ketë një takim mes dy presidentëve. Të dielën, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan zhvilloi një bisedë telefonike me Trump, për të diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës dhe për të rivendosur stabilitetin në Siri.

Ai i tha Trumpit se Turqia mbështeti iniciativat e tij vendimtare dhe të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës dhe do të vazhdojë të përpiqet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

Gjatë telefonatës, Erdogan i kërkoi SHBA-së të heqë sanksionet ndaj industrive të mbrojtjes të Turqisë të vendosura gjatë mandatit të parë të Trump.

Mediat shkruajnë se kreu i Turqisë ka kërkuar gjithashtu që përjashtimi i Ankarasë nga programi i avionëve luftarakë F-35 të anulohej dhe të finalizohej një marrëveshje për shitjen e avionëve luftarakë F-16. Blerja nga Turqia në vitin 2019 e sistemeve ruse të mbrojtjes raketore S-400 bëri që SHBA të shpallte sanksione.

Ndërkaq, në betejën kundër grupit militant Shteti Islamik në Siri, Shtetet e Bashkuara janë aleate me një milici kurde siriane që Turqia e konsideron si një grup terrorist. Turqia e ka kritikuar ashpër këtë qëndrim të SHBA-së si një tradhti ndaj një aleati të NATO-s.

Klan News