Shkodër – Është sulmuar me mjete të forta në kokë efektivi i policisë Admir Okaj. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të banesës së tij në zonën e Zdrales. Siç bën me dije policia, dyshohet se një 47 vjeçar është autori i ngjarjes i cili është shpallur në kërkim.

Fatmirësisht, Okaj ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pasi ka marrë mjekim në kokë në spitalin e Shkodrës është larguar e më pas ka dhënë dëshminë e tij në komisiariat. Vlen të theksohet se gjatë konfliktit, arma e shërbimit të tij është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme, pa shkaktuar dëme. Megjithatë AMP po heton rastin si dhe janë sekuestruar kamerat e sigurisë.

“Rreth orës 15:45, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi O. G., 47 vjeç, ka dëmtuar në kokë, me sende të forta, shtetasin A. O., 49 vjeç, banues në Shkodër (punonjës policie, jashtë shërbimit), i cili po merr mjekim në spitalin rajonal të Shkodrës dhe është jashtë rrezikut për jetën. Gjatë konfliktit dyshohet se arma e shërbimit e punonjësit të Policisë është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme, por pa shkaktuar dëmtime. Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe vijojnë krehjen e zonës, për kapjen e 47-vjeçarit. Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje, po kryen veprime edhe AMP, për të zbardhur rrethanat e përdorimit ose jo të armës së zjarrit, si dhe për të përcaktuar nëse shkrepja e armës ka qenë e pavullnetshme”, thonë blutë përmes njoftimit zyrtar.

Mësohet se Okaj ka qenë jashtë shërbimit në momentin e dhunës.

/tvklan.al