Java e tetë e Superligës në Shqipëri, do të luhet e ndarë në tri ditë.

Sfida e parë do të jetë të premten. Skuadra e Dinamos, do të presë Laçin në “Elbasan Arena”, sfidë kjo e cila është planifikuar të luhet në orën 19:00, ashtu si të gjitha takimet e tjera.

E shtuna rezervon dy përballje tejet interesante. Spikat ajo mes Skënderbeut dhe Egnatias në Korçë, me dy skuadrat që vijnë pas humbjeve dhe do të kërkojnë rikthimin te fitorja.

Përballja tjetër është ajo mes Partizanit dhe Bylisit, takim që do të luhet në kryeqytet, në stadiumin “Arena e Demave”.

Dy ndeshjet e fundit për javën e tetë, do të luhen ditën e diel. Tirana sfidon Teutën në transfertë, ndërsa Vllaznia përballet me Elbasanin. Pavarësisht se shkodranët janë pritës, ky takim do të luhet në “Elbasan Arena”, për shkak se në “Loro Boriçi” të Shkodrës ka nisur mbjellja e barit. /tvklan.al