Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka akuzuar Serbinë se e ka shkelur Marrëveshjen për Menaxhimin e Përbashkët të Pikave Kufitare, duke iu referuar prezencës së katër pjesëtarëve të xhandarmërisë serbe në stacionin policor kufitar në Merdarë.

Ministri Sveçla konfirmoi se për i kanë njoftuar edhe partnerët ndërkombëtar.

“Bëjnë shkelje të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare. Nuk është hera e parë që ata bëjnë shkelje të kësaj marrëveshje, por shpresojmë të jetë e fundit. Ne patjetër që jemi të gatshëm me u ballafaqua më çdo shkelje të tyre dhe në të njëjtën kohë edhe t’i prezantojmë ato tek partnerët tanë si dëshmi shtesë se si Serbia nuk është e gatshëm për të bashkëpunuar pavarësisht marrëveshjet të cilat ajo i ka nënshkruar”.

Thotë se kjo tregon se Kosova vazhdon të jetë e kërcënuar.

“Është e qartë se Kosova është e kërcënuar nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë gjithë aparati i tyre shtetëror punon  për të përmbushur qëllimet e tyre të cilat jo vetëm që janë të papranueshme për ne, por edhe kriminale në realitetin tonë. Institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë që këto qëllime të Serbisë të zmbrapsen në çdo moment tash edhe në të ardhmen”.

Policia e Kosovës ka njoftuar se të hënën rreth orës 18:20 në pikën kufitare në Merdare te pala serbe është vërejtur një veturë me targa të Serbisë që dyshohet të jetë e xhandarmërisë serbe.

Në njoftim thuhet se sipas informacioneve nga kompetentët, aty shiheshin katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth 10 minuta tek hyrja e objektit së palës serbe.

Tv Klan