Portieri polak, Wojciech Szczesny , ka njoftuar tërheqjen nga futbolli i luajtur. Nëpërmjet një letre të gjatë, 34-vjeçari ka zbuluar vendimin për tu pensionuar nga sporti më i ndjekur në botë.
Szczesny ndërpreu kontratën pak kohë me parë me Juventusit dhe tani ka vendosur të thotë “mjaft”.
“U largova nga Varshava, vendlindja ime në qershor të vitit 2006 për t’iu bashkuar Arsenalit me një ëndërr, për të siguruar jetesën nga futbolli.
Nuk e dija se do të ishte fillimi i një udhëtimi jetësor. Nuk e dija se do të luaja për klubet më të mëdha në botë dhe do ta përfaqësoja vendin tim 84 herë. Nuk e dija që jo vetëm do të fitoja jetesën nga loja, por loja do të bëhej e gjithë jeta ime.
Unë nuk i realizova vetëm ëndrrat e mia, kam ardhur atje ku imagjinata ime nuk do të guxonte të më çonte. Kam luajtur ndeshje në nivelin më të lartë me lojtarët më të mirë në histori pa u ndjerë ndonjëherë inferior.
Kam bërë miq për jetën, kam krijuar kujtime të paharrueshme dhe kam takuar njerëz që kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën time. Gjithçka që kam dhe gjithçka që jam, ia detyroj lojës së bukur të futbollit….
Por, gjithashtu i dhashë lojës gjithçka që kisha. I dhashë lojës 18 vjet të jetës sime, çdo ditë, pa justifikime. Sot, trupi im i ndihet ende gati për sfida, por zemra ime nuk është më aty. Ndjej se tani është koha t’i kushtoj gjithë vëmendjen familjes sime, gruas sime të mrekullueshme Marina dhe dy fëmijëve tanë të bukur Liam dhe Noelia. Prandaj kam vendosur të tërhiqem nga futbolli profesionist.
Fundi i një udhëtimi është një kohë për reflektim dhe mirënjohje. Ka shumë njerëz që do të më duhej t’i falënderoja në këtë vend, por do të përpiqem ta bëj këtë personalisht me secilin prej tyre. Por ju, fansave ju detyrohem një falënderim të veçantë që ishit në këtë udhëtim me mua. Për mbështetjen dhe kritikat, për dashurinë dhe urrejtjen, për të qenë pjesa më e bukur dhe më romantike e futbollit. Pa ju, kjo nuk do të kishte kuptim! Faleminderit!
Tani, çdo histori ka një fund, por në jetë çdo fund është një fillim i ri. Se çfarë do të më sjellë kjo rrugë e re vetëm koha do ta tregojë. Por, nëse 18 vitet e fundit më kanë mësuar diçka, është se asgjë nuk është e pamundur dhe më besoni, unë do të shkoj për ëndrra të mëdha.”, shkruan Szczesny në letrën e tij.
Në karrierën e tij, polaku ka luajtur me Arsenalin, Brentford, Roma dhe Juventusin. Szczesny vendosi të tërhiqet në moshën 34-vjeçare, pas 84 ndeshjeve në fanellën e Polonisë. /tvklan.al