Tatimi kosovar me 100% për produktet serbe po i shkakton një efekt të ndjeshëm negativ ekonomisë serbe. Këtë e pohoi vetë kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Bruksel, me shefen e diplomacisë europiane, Federika Mogerini.

“Ekonomia serbe ka humbur që prej vendosjes së taksës 25.7 milionë euro. Presim që deri në fund të vitit humbja të arrijë 65.5 milionë euro. Dhe nëse masat qëndrojnë përgjatë vitit 2019, presim një humbje vjetore 514.5 milionë euro”.

Ndërsa Zv/Kryeministri, Rasim Ljajiç flet për një dëm të jashtëzakonshëm që i shkaktohet sipërmarrjeve serbe. 

“Deri tani janë 2600 ndërmarrje të vogla dhe të mesme që kanë shitur mallra në Kosovë, por që nuk janë më konkurruese në tregje”. 

Prej 21 Nëntorit, mallrat serbe që hyjnë në Kosovë tatohen me 100% të vlerës. Prishtina ankohet se Beogradi përfiton në mënyrë të pandershme nga tregtia me Kosovën, por duke mos lejuar hyrjen e mallrave kosovare me vulën Republika e Kosovës.

Kryeministri Haradinaj refuzoi thirrjen e Brukselit për t’a pezulluar taksën deri në gjetjen e një zgjidhjeje dhe nuk tërhiqet nga kushti për lënien në fuqi të taksës deri në njohjen e pavarësisë nga Serbia.

Tv Klan