Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ka përgënjeshtruar sot kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha, lidhur me deklaratat e tij mbi Bashkinë e Tiranës i cili ka deklaruar se po digjen dhe zhduken dokumentet e këtij institucioni për shkak të hetimeve të nisura nga SPAK.
Ristani gjatë fjalës së saj tha se lajmi nuk është vërtetë, teksa shtoi se çdo shkresë e jetës institucionale të bashkisë rruhet me rigorozitetin më të madhe në arkiv.
Mandej ajo shtoi se nuk janë trembur as nga letrat anonime, as nga ato me autorë dhe as nuk do të tremben nga të tilla denoncime.
“Lajmi i shpërndarë me dashakeqësi ditën e djeshme se Bashkia e Tiranës po zhduk prova dhe dokumente, është i pavërtetë. Ne në Bashkinë e Tiranës nuk çuditemi më nga asgjë, nga askush, që na akuzon pa prova, pa fakte, pa arsye tjetër përveç interesave politike. Që nga këndi i lodrave tek liqeni ku u akuzuam se do te ndërtonim kulla midis të tjerash, deri te zhvendosja e Shkollës “Sami Frashëri” që na la të gjithëve gojëhapur, kemi parë dhe kemi dëgjuar lloj lloj çudirash, aq shumë dhe aq shpesh sa përgjigja ka qenë vetëm një: Vijojmë punën!
Por asnjëherë, në asnjë rast, nuk harrojmë se i detyrohemi qytetarëve, sqarimet përkatëse kur nivelet e shpifjes dhe të lajmeve tronditëse dhe krejtësisht të rreme përhapen nga kanale mediatike dhe arrijnë nivele të tilla përndotjeje.
Bashkia e Tiranës akuzohet se djeg dhe zhduk kamionë me dokumente në mes te ditës në sytë e një zonje që është punësuar nga Partia Demokratike për t’u stacionuar në trotuarin përpara bashkisë dhe në praninë e TV Syrit të po së njëjtës Parti.
Natyrisht që kjo është një marrëzi e një niveli të denjë për shfaqje seriale, ku nuk mungon as aksioni as satira, por nuk mungon as trishtimi dhe ky i fundit është për ata qytetarë që nuk e kanë kusur për t’u helmuar me trillime, të ndryshëm nga ata që shpifja dhe gënjeshtra i ushqen përditë, por nuk i ngop kurrë. Për të dy kategoritë na vjen thellësisht keq.
Por për ëdo rast, Bashkia e Tiranës siguron opinionin publik me përgjegjësi të plotë se çdo shkresë e jetës institucionale të saj, ruhet me rigorozitetin më të madh në arkivën tonë, i cili në përmbushje të ligjeve përkatëse është i vendosur në një objekt jashtë godinës qendrore dhe plotëson kushtet e ruajtjes dhe sigurimit sipas një protokolli të mirëpërcaktuar.
Në përgjigje të kërcënimeve për denoncimin e radhës për këtë krim të ri imagjinar, ne u themi të gjithë kundërshtarëve dhe përndjekësve politikë e mediatikë të Bashkisë së Tiranës se jeni mëse të mirëseardhur për t’u bërë qesharakë. E të tilla probleme imagjinare paçim, pasi në një qytet me 1 milionë banorë, e më shumë miliona vizitorë, problemet me të cilat përballemi çdo ditë dhe hallet për t’u zgjidhur nuk janë aspak qesharake dhe ne i marrim me të gjithë seriozitetin e mundshëm.
Ne nuk jemi trembur as nga letrat anonime, as nga ato me autorë dhe as nuk do të trembemi nga të tilla denoncime, për asnjë arsye tjetër përveç punës që na ka nderuar e na e mban kokën lart dhe shikimin në sy për çdo qytetar të këtij qyteti që nuk do të ndalet, shprehet Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.
Ditën e djeshme Sali Berisha doli në një konferencë për mediat duke hedhur akuza për asgjesim të dokumenteve në disa prej institucioneve shtetërore që implikojnë zyrtarët socialistë. Lidhur me këto deklarata pati reagim edhe nga Bashkia e Tiranës ku thuhej se kemi të bëjmë me zhvendosjen e arkivës nga godina kryesore drejt godinës së arkivës së Bashkisë që ndodhet pranë Pallatit me Shigjeta
/tvklan.al