Turizmi malor në Shqipëri, jo vetëm po e zgjat sezonin turistik, por edhe po diversifikon ofertën e atraksioneve për turistët huaj nga vende të ndryshme të botës. Ky turizëm vlerësohet si një nga resurset turistike më të mëdha të vendit, krahas bregdetit, duke tërhequr vizitorët e huaj gjithnjë e më shumë. 

Bukuritë natyrore të Shqipërisë, biodiversiteti i pasur, bujtinat e shpërndara në të gjithë vendin, turizmi malor në alpe e sidomos në majat e mbuluara me dëborë janë kthyer ndër më të frekuentuarat nga vizitorët e shumtë, jo vetëm nga vendet europiane, por edhe nga kontinentet e tjera.

Një pikë e rëndësishme që ka ndikuar pozitivisht dhe ka shtuar interesin e të huajve për të vizituar zonat piktoreske malore është edhe përmirësimi i infrastrukturës dhe investimet në këtë sektor po rriten dita-ditës, duke shtuar dhe të ardhurat për banorët që kanë investuar në agroturizëm dhe operatorët turistikë.

Promovimi nga ana e qeverisë dhe sajteve të huaja të bukurisë malore shqiptare, kanë nxitur një numër të konsiderueshëm turistësh të huaj të kërkojnë paketa turistike për të vizituar Alpet tona, zonën e Valbonës dhe Thethit, por edhe Voskopojën në juglindje.

Sipas të dhënave të INSTAT, në fillim të këtij viti, rreth 93% e shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri ishin për pushime e sidomos për turizëm malor, por dhe për të vizituar sitet arkeologjike të ndryshme.

Klan News