“Të gjithë të shkarkuarit do të përfitojnë pagën e luftës”
Në muajin Mars dhe Prill janë 38 mijë individë të cilët kanë humbur vendin e punës në bizneset e mëdha për shkak të pandemisë së Covid-19.
Në një intervistë për televizionin Klan, drejtorja e Përgjithshme e tatimeve Delina Ibrahimaj, thotë se numri i të papunëve në bizneset e vogla nuk mund të evidentohet ende, por sqaron se në Maj, situata është përmbysur dhe ka më shumë persona që po regjistrohen në punë, se punonjës të larguar.
“Situata është përmbysur. Nëse në muajt Maj dhe Prill kishte më shumë të larguar, se sa të marrë në punë, tashmë numri i të marrëve në punë është dyfishi i atyre që largohen”.
Sektorët të cilët kanë patur largime në masë të punonjësve janë turizmi, hoteleria, baret e restorantet, callcenter dhe fasonët. Vetëm në linjat e përpunimit të fasonerisë rezultojnë 11 mijë e 700 punonjës të shkarkuar. Të gjithë të pushuarit do të marrin pagën e luftës prej 40 mijë lekësh”, sqaron drejtorja e tatimeve.
“ E gjitha problematika e sektorit fason do të adresohet nëpërmjet zgjerimit të VKM-së. Të gjithë ata të punësuar, të cilët janë larguar nga puna për shkak të situatës së COVID, nga periudha 1 Mars deri në 17 Maj do të marrin pagën e luftës”.
Aplikimet përfundojnë më 5 Qershor, ndërsa procesi është i gjithi online, ku administratori duhet të plotësojë të dhënat e punonjësit dhe numrin e llogarisë.
“Tatimpaguesit të aksesojnë në portalin E-filing dhe të plotësojë të dhënat e llogarisë bankare për të punësuarit e tij dhe aplikimi miratohet automatikisht”.
Qeveria vendosi të zgjerojë numrin e përfitueseve nga ndihma financiare prej 40 mijë lekësh, për të gjithë të larguarit nga punë prej datës 1 Mars deri më 17 maj, pavarësisht madhësisë që ka biznesi. Nëse kompanitë nuk do të aplikojnë për ndihmën e të larguarve, do të gjobiten me 50 mijë lekë, ndërsa më pas do të jenë tatimet që do të plotësojnë procedurën dhe do të kalojnë në llogarinë e tyre pagën e luftës.
Tv Klan