Gjermanët do të shkojnë në qendrat e votimit të dielën për të vendosur mbi qeverinë e tyre të ardhshme në një situatë mjaft të paqartë politike. Partitë më të mëdha mbyllën fushatën të premten ku dominuan mesazhet për një Europë më të fortë përballë presionit që vjen nga administrata e re amerikane. Në mitingun përmbyllës të zhvilluar në Dortmund kancelari Olaf Scholz nuk i kurseu shigjetimet për Uashingtonin.

“Ne jemi të përkushtuar për një Evropë të fortë. Ne po mbrojmë Ukrainën sepse ajo nuk duhet të lihet vetëm jo vetëm sepse ka minerale atje”.


Rivali i tij Friedrich Merz i CDU-së mbajti të njëjtën linjë nga mitingu i tij në Oberhausen.

“Detyra më e rëndësishme e qeverisë së ardhshme federale dhe e personit që do drejtoje këtë qeveri do të jetë që të përmbushë edhe një herë me forcë përgjegjësinë e Gjermanisë në Bashkimin Evropian”.

Sondazhet i japin fitoren pikërisht CDU-së së Merz me rreth 30% të votave ndërsa SPD e Sholz pritet të zbresë në vend të tretë me 16%. Në vend të dytë me një rritje të fortë parashikohet Aleanca për Gjermaninë, një forcë e identifikuar si e ekstremit të djathtë me 20% të votave.

Megjithatë asnjë prej partive nuk është e gatshme të bëjë një qeveri me këtë forcë. Fushata e tensionuar u dominua nga tema si emigracioni i paligjshëm dhe lufta në Ukrainë, por zgjedhësit i druhen edhe recesionit të vendit që konsiderohet si një nga shtyllat e ekonomisë evropiane.

Tv Klan