Shqipëria ka lënë pas një vit të mrekullueshëm në futboll, plot emocione të forta e të bukura dhe tani ka nisur përgatitjet për kualifikueset e Botërorit. Rruga përpara është plot sfida, por djemtë e Kombëtares duken mjaft entuziastë. Një prej tyre, golashënuesi me të majtën  ‘vrastare’, Jasir Asani e ka shprehur këtë përmes një videomesazhi kundrejt presidentit të FSHF, Armand Duka në programin “Rudina” në Tv  Klan.

Jasir Asani: Përshëndetje president! Kemi kaluar momente të paharrueshme bashkë që në kualifikuese dhe në Europian. Do të japim maksimumin të gjithë bashkë që të arrijmë qëllimin tonë për t’u kualifikuar në Botëror. Faleminderit shumë për punën e palodhur për Komëbtaren tonë dhe për futbollin! Faleminderit shumë edhe njëherë dhe besoj se qëllimet tona do t’i arrijmë! Të gjithë bashkë jemi një!

Duka falenderoi Asanin, por edhe gjithë djemtë e Kombëtares që kanë mundësuar emocione të papërshkrueshme për të dhe për gjithë tifozerinë kuqezi.

Armand Duka: Jasiri ka lënë shenja të rëndësishme dhe kontribut të rëndësishëm në kualifikueset e Europianit se golat e tij përveçse ishin shumë të bukur, ishin shumë të rëndësishëm për ne për të shkuar në Europian. Nëpërmjet tij, unë falenderoj Jasirin, por edhe gjithë çunat, i kam falenderuar dhe do të vazhdoj t’i falenderoj gjithë jetën sepse na kanë dhuruar emocione që nuk mund t’i provosh në asnjë lloj mënyre tjetër. Mund të jesh njeri i biznesit, mund të kesh pasuri sa të duash, mund të bësh çfarë të duash, por emocionet që na kanë dhuruar, të paktën mua dhe si mua, shumë  shqiptarëve, që na kanë dhuruar çunat nuk mund t’i përjetosh në asnjë lloj mënyre tjetër./tvklan.al