Më 27 janar, Federata Shqiptare e Futbollit organizoi ceremoninë e tretë të “Topit të Artë 2024” që u transmetua në Tv Klan ku vlerësoi më të mirët e futbollit shqiptar përgjatë vitit. Presidenti i Federatës, Armand Duka, u ndal në këtë event gjatë intervistës në “Rudina” duke u shprehur se është një festim final.
Ai vlerësoi veçanërisht bashkëpunimin me Ardit Gjebrean që e prezantoi këtë spektakël sportiv duke rritur ndjeshëm nivelin e organizimit. Duka tha se ceremonia synon të promovojë më të mirët, të motivojë lojën, garën dhe të përfshijë fëmijët. Synimi për vitin e ardhshëm është që ceremonia të vijë edhe më madhështore.
Armand Duka: Kemi rreth 3 vite që kemi filluar ta organizojmë këtë event sepse çdo aktivitet apo komunitet ka nevojë për një festim final për gjithë aktivitetin që ka bërë dhe në këtë këndvështrim kemi bërë më të mirët e vitit në vitin e kaluar, ndërsa këtë vit në bashkëpunim me Ardit Gjebrean që vërtet dua ta falenderoj sepse në fakt është hera e parë që e kam njohur nga afër dhe një profesionist i vërtetë që na ka ndihmuar. Ne jemi shumë të mirë për të organizuar ndeshje futbolli, për të organizuar evente sportive, i gjithë stafi i FSHF-së është vërtet shumë i mirë, por për të bërë spektakle ne nuk është se ia themi shumë, kështu që Arditi bashkë me stafin e këtij viti e plotësoi këtë gjë dhe eventi i këtij viti ishte me diferencë nga të kaluarit, shumë më i mirë i organizuar, shumë më i bukur dhe i kënaqi njerëzit tanë. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte vërttet për të falenderuar ata që kanë kontribuar në një vit futboll gjatë 2024-ës, për të motivuar ata që u zgjodhën si më të mirët dhe për të qenë një objektiv për ata që nuk ishin më të mirët, por që të luftojnë për të qenë në vitin e ardhshëm. Dhe në fund të fundit, për ta promovuar lojën tonë dhe për të ftuar sa më shumë, ajo që thamë edhe në fillim, sa më shumë fëmijë që t’i bashkohen lojës sonë sepse edhe kjo e plotëson atë kuadrin. Opinionet nga komuniteti jonë kanë qenë të lumtur nga ky organizim dhe ne do ta vazhdojmë këtë do të mundohemi ta bëjmë akoma më mirë, mbase akoma më të madh në vitin e ardhshëm, me më shumë njerëz dhe me nivel më të mirë, të kemi fitues mbase jo të njëjtë, të tjerë që të kemi sa më shumë promocion për lojën./tvklan.al