Biseda me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka në programin “Rudina” në Tv Klan nisi ëmbël, duke zbuluar një aspekt të tij nga jeta personale. Duka është baba i një vajze e një djali, por është edhe gjysh i dy nipërve.

Ai u shpreh se jetën private kanë zgjedhur ta  mbajnë larg vëmendjes, por herë pas here është e pashmangshme që të mos ndajë diçka. Tani po e shijon shumë këtë fazë duke u shprehur:

“Jam gjysh me dy nipër shumë të bukur, si gjithë gjyshërit e tjerë që i kanë shumë të bukur, jo vetëm unë, nga Lori, vajza ime, ndërsa djali akoma nuk na ka bërë gjysh”.

Rudina Magjistari: Si është Armand Duka si gjysh?

Armand Duka: Kjo ndjesia e gjyshit është ndryshe nga ndjesia e babait, mbase sepse jemi shumë më të pjekur tani dhe kur kemi pasur fëmijët tanë, kemi qenë në një moshë pak më të papërgjegjshme dhe tani i shijojmë jashtëzakonisht shumë. Thotë populli mjalti i mjaltit, por mua më duket se janë më shumë se aq. Padyshim që i dua shumë, shpesh më mungojnë sepse nuk jetojnë me mua. Nuk  e di nëse jam gjysh i mirë për ta, por ata janë nipër shumë të mirë për mua. Nuk e di nëse ata më duan, por unë i dua shumë.

Një tjetër foto me nipërit është me fushën e blertë pas tyre ku Duka rrëfen se në pjesën e pasme të bluzës kanë të shkruar “Gjyshi”. Duka shprehet se nuk ka dyshime që do të jenë fansa të futbollit, por uron që pse jo, t’i shohë edhe duke ndjekur një karrierë.

Rudina Magjistari: Do t’ju pëlqente që ata të interesoheshin vërtet për futbollin dhe pse jo, një perspektivë në këtë fushë?

Armand Duka: Padyshim, punoj shumë që ata të jenë shumë të lidhur me vendin, të jenë shumë të lidhur me Shqipërinë dhe gjithçka…

Rudina Magjistari: Sepse jetojnë jashtë Shqipërie.

Armand Duka: Jetojnë jashtë Shqipërie, por padyshim që do të bëhen fansa futbolli, uroj që edhe të luajnë futboll, por duke u diskutuar për futboll jo vetëm nga unë, por edhe nga mami e babi i vet, Lori dhe Urimi, do të bëhen të interesuar për futboll, edhe sikur të luajnë në nivel amator unë do të jem shumë i lumtur./tvklan.al