Eduard Danaj do të dalë të hënën para prokurorit grek pas vrasjes së bashkëshortes së tij Enkeleida Danaj, ngjarje e ndodhur në Manidi të Greqisë në fillim të kësaj jave.
50-vjeçari, pas arrestimi nga policia, ka thënë se nuk është penduar për krimin dhe se vrasjen e kishte planifikuar.
Familjarë të së ndjerës kanë treguar për mediat greke kalvarin e gjatë të vuajtjeve të 40-vjeçares, e cila që prej vitit 2013 dhunohej fizikisht e psikologjikisht nga bashkëshorti. Vëllai i saj tha se Eduardi e kishte kërcënuar Enkeleidën me thikë kur ajo ishte shtatzënë me famijën e parë, si dhe i kishte futur kokën në zbardhuesin e rrobave.
Së fundmi çifti ishte divorcuar. Që prej vitit 2013, Enkeleida kishte bërë 3 denoncime ndaj ish-bashkëshortit për dhunë. E fundit ishte në datë 6 Maj 2024. Pas atij momenti, 50-vjeçari i kishte kërcënuar ish-gruan dhe fëmijët se do “t’i digjte” të gjithë. Deri sa arriti këtë javë që të ndiqte ish-gruan herët në mëngjes kur doli për të shkuar në punë dhe e goditi me thikë disa herë duke e lënë të vdekur në mes të rrugës.
Ai i tha policisë se nuk mund të duronte që ish-gruaja të kalonte kohë me të dashurin. “Nuk mund të duroja kur pashë të dashurin e saj që drejtonte makinën time, ndërkohë që unë bëja dy punë”, tha ai ndër të tjera.
Të afërmit e viktimës thonë se Eduard Danaj konsumonte vazhdimisht alkool. Madje edhe kur u arrestua pas vrasjes, u gjet duke konsumuar alkool.
/tvklan.al