Balla: Reforma Zgjedhore do të mbyllet brenda Dhjetorit
Pavarësisht letrës së Presidentit Meta për të pezulluar procesin e përzgjedhjes për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, maxhoranca duket e vendosur për të votuar emrat e kandidatëve në seancën plenare të së hënës. Vendimin e bëri të ditur kreu i Grupit Parlamentar të socialistëve, Taulant Balla, gjatë takimit “Ti zgjedh” me kandidatët për delegatë të Kongresit të kësaj force politike që do të zgjidhen në 16 Nëntor.
“Kuvendi do të zgjedhë dy anëtarët e Kushtetueses të hënën. Për të mundësuar që deri në fund të Janarit Kuvendi të ketë zgjedhur edhe anëtarin e tretë të gjykatës Kushtetuese që i takon Kuvendit të Shqipërisë. Ky është hap i rëndësishëm për të mundësuar që brenda pranverës ajo të jetë funksionale.”
Një tjetër angazhim i maxhorancës është edhe ai për mbylljen e Reformës Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it brenda vitit. Duke iu referuar dërgimit në gjykatë të kreut të demokratëve, Balla tha se nevojë emergjente del edhe ndryshimi i financimit të partive politike.
“Brenda Krishtlindjeve do te përmbyllet edhe Reforma Zgjedhore, sipas rekomandimeve te OSBE-ODIHR. Do t’i kalojmë në kuvend për të qenë gati implementi i tyre për zgjedhjet e 2021. Drejtësia sapo vërtetoi që një parti politike ka falsifikuar deklarimet sa i përket financimit e ky është një akt i rëndë që tregon se rregulluat duhen forcuar që të mos lejojmë asnjë financim të huaj”.
Ndërsa Kryebashkiaku Veliaj teksa ironizoi opozitën jashtë parlamentit, e cilësoi procesin e zgjedhjes së delegatëve në PS si nisjen e një gare për parlamentaret e Qershorit të 2021-it.
Në 16 Nëntor, socialistët zgjedhin delegatët e Kongresit të ri, forum që do të përcaktojë Asamblenë e kësaj force politike, Kryesinë dhe Sekretariatin.
Tv Klan