Denisa Kele, eksperte e kriptomonedhave dhe mjedisit  dixhital, ndan në “Opinion” në Tv Klan një studim për shifrat e përdorimit të TikTok në Shqipëri. Kele thotë se 85% e përdoruesve shqiptarë kanë një adresë në këtë platformë, ndërsa të miturit e përdorin deri në 9 orë në ditë. 

Ekspertja mban qëndrim  kundër bllokimit të platformave të tilla pasi sipas saj kjo nuk është zgjidhja. Një nga alternativat që ajo sugjeron është implementimi i ligjeve europiane të sigurisë kibernetike.

Denisa Kele: Ka studime, 85% e përdoruesve shqiptarë kanë një adresë tiktok.

Blendi Fevziu: 85%?!

Denisa Kele: Po, 85%. Në qoftë se  i marrim pastaj studimet e moshës, të miturit kalojnë 7-9 orë në ditë në platformat online.

Blendi Fevziu: Sa?!

Denisa Kele: Po.

Blendi Fevziu: Online?

Denisa Kele: Po.

Blendi Fevziu: Kush i filtron ata? TikTok është i hapur, Youtube është i hapur.

Denisa Kele: Askush nuk i filtron. E  gjithë kjo gjë është dështim i të gjithë ekosistemit të çdo lloj instance shqiptare, institucione, arsimi, të gjitha ato instanca  që merren me krimin kibernetik, të gjitha ato që merren me mjedisin dixhital. Ishim ne gati për një përparim kaq të madh të mjedisit dixhital në Shqipëri? Nuk kemi qenë gati. A marrim ne fonde nga BE dhe SHBA për të trajnuar ekspertët, për të observuar hapësirat dixhitale, për të observuar krimin kibernetik? Marrim, CERT Albania ka marrë 50 milionë për trajnimin e punonjësve të saj por edhe për trajnimin dhe mesazhin publik që duhet t’i japim prindërve.

Blendi Fevziu: Si zgjidhet siguria njëherë?

Denisa Kele: Me heqjen e TikTok nuk zgjidhet. Kjo është pak, por është e sigurt. Unë nuk jam për ndalimin e platformave të tilla që arsyen e krijimit nuk kanë promovimin e dhunës. Nëse duam të bëjmë diçka të thjeshtë, hajde dhe mbyllim TikTok-un tani sepse  nuk jemi të aftë që të marrim hallkat një nga  një dhe të rregullojmë një lloj hapësire dixhitale që në fund të fundit përdoret për reklamim biznesesh apo marketing. Ka mundësira pafund? Patjetër që ka. Përdor ligjin e BE. GERD përdor ligjin që të gjithë të miturit nuk mund të kenë akses në platformat e TikTok-ut sepse kërkon një pasaportë biometrike.

Blendi Fevziu: Kërkon një pasaportë biometrike?

Denisa Kele: Vendos pasaportën, nxirr fytyrën që ti je personi në fjalë dhe nuk mund të aksesosh ose logohesh një adresë TikTok-u./tvklan.al