Në një intervistë ndryshe për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ambasadorja amerikane Yuri Kim është shprehur se qytetarët shqiptarë duhet të kenë në vëmendje se janë ata që i japin pushtetin politikanëve dhe duhet t’u kërkojnë llogari. Edhe pse në disa raste, sipas saj, përmbyset raporti pushtetar – votues.
Në 30 vitet e fundit, në politikën shqiptare dhe në pushtet janë pothuajse të njëjtët personazhe. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu përse nuk ka ndryshuar kjo gjë, ambasadorja e SHBA u shpreh se kjo varet nga votuesit shqiptarë dhe për këtë arsye ata duhet t’i bëjnë vetes disa pyetje.
Blendi Fevziu: Dhe, në mendimin tuaj, gjatë këtyre bisedave me të rinj, mendoni se brezi i ri do ta ndryshojë vendin?
Ambasadorja Kim: Sigurisht kështu shpresoj.
Blendi Fevziu: Humbëm shumë mundësi për ta bërë vendin anëtar të Bashkimit Europian, edhe 30 vjet pas rënies së komunizmit. Çfarë mendoni për brezin e ri?
Ambasadorja Kim: Mendoj se është me shumë rëndësi që brezi i ri të ruajë idealizmin. Dhe ta kujtojë veten se kush janë dhe pse bëjnë atë që bëjnë. Jeta mund të jetë e mbushur me cinizëm dhe ka njerëz që do përpiqen të të ndryshojnë, të të bëjnë njësoj me çdo gjë tjetër. Dhe mendoj se është e rëndësishme që të rinjtë ta refuzojnë dhe të thonë: ky vend është vendi im. Do ta bëjmë ndryshe. Marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është me rendësi, unë do ta bëj më të fortë. Mendoj se të rinjtë mund të jenë agjentët e ndryshimit.
Blendi Fevziu: E dini shumë mirëqë të rinjtë duan të largohen nga Shqipëria. Po mësojnë gjermanisht, sepse mendoj shumica e njohin anglishten. Duan të largohen, shumica e të rinjve, sipas sondazheve. Ky është problem. Kush do ta ndërtojë vendin, nëse brezi i ri largohet?
Ambasadorja Kim: Mendoj se është përgjegjësi e atyre që janë në pushtet që t’ia bëjnë vetes atë pyetje dhe të marrin përgjegjësitë për të krijuar kushtet që i tërheqin të rinjtë në Shqipëri.
Blendi Fevziu: Njerëzit në pushtet janë të njëjtët në 30 vitet e fundit.
Ambasadorja Kim: Varet nga votuesit.
Blendi Fevziu: Nuk e ndryshuam dhe aq elitën…
Ambasadorja Kim: Varet nga votuesit.
Blendi Fevziu: Varet nga votuesit?
Ambasadorja Kim: Po!
Blendi Fevziu: Gjithmonë?
Ambasadorja Kim: Gjithmonë.
Blendi Fevziu: Keni ndonjë mesazh për votuesit?
Ambasadorja Kim: Mendoj se votuesit duhet të përpiqen të jenë sa më të informuar që të jetë e mundur. Duhet të bëjnë pyetje të vështira. Duhet të mbajnë mend që e kanë ata pushtetin, në një demokraci, janë qytetarët që kanë pushtetin, janë ata që …
Blendi Fevziu: Nëse votojnë lirisht…
Ambasadorja Kim: Më lejoni të mbaroj. Ata që zgjidhen, zgjidhen nga qytetarët, për t’u shërbyer qytetarëve. Dhe mendoj, hera-herës, kjo marrëdhënie sikur përmbyset. Është me rëndësi që njerëzit të mbajnë mend që janë ata shefi. Ata vendosin se kush ulet në fronin e pushtetit. Të drejtat që qytetarët kanë nuk janë dhuratë që iu jepet nga udhëheqësit, por është e drejta e tyre. Ndaj mendoj se është me rendësi që njerëzit ta njohin këtë pushtet që kanë.
Blendi Fevziu: Po, e vërtetë, teorikisht, por e dini, kemi një thënie, ju votoni dhe ne numërojmë votat. Problemi është se si do të ndryshojnë votat dhe numërimi i votave. Ky është problemi.
Ambasadorja Kim: Nuk e kuptoj pyetjen.
Blendi Fevziu: Le të themi që qyetarët votojnë. Dhe politikanët numërojnë votat. Votat dhe numërimi i votave nuk janë gjithmonë njësoj.
Ambasadorja Kim:Mendoj se duhet të…
Blendi Fevziu: Është problem për ne …
Ambasadorja Kim: Mendoj se është problem në një numër vendesh të ndryshme dhe ka mekanizma dhe procedura që duhen vendosur për ta eliminuar ose të paktën për ta minimizuar këtë lloj situate, në mënyrë që zëri i qytetarëve të numërohet.
Blendi Fevziu: Shpresoj që në zgjedhjet e 25 prillit do të kemi një lloj të ndryshëm të votimit dhe numërimit të votave.
Ambasadorja Kim: Nuk e di për çfarë e keni fjalën, ndjesë.
Blendi Fevziu: Po them le të shpresojmë që më 25 prill, do të kemi një lloj të ndryshëm votimi. Që njerëzit të votojnë lirisht, pa probleme, sepse çdo opozitë këtu ka akuzuar pushtetin se ka deformuar votat, numëruar votat, ose le të themi të mos kemi shumë manipulime.
Ambasadorja Kim: Mendoj se sigurisht komuniteti ndërkombëtar, bashkë me OSBE-në, do të ofrojë sa më shumë asistencë që të mundet për të siguruar që të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. /tvklan.al