Të paktën 50 persona humbën jetën nga shpërthimi i një autoboti me karburant në rrugë, në qytetin e dytë më të madh të Haitit, Cap-Haitien. Autoboti që transportonte benzinë u përmbys rreth mesnatës në zonën e Sanmarie, në lindje të qytetit. Të plagosurit janë të shumtë. Numri i tyre nuk është bërë ende publik, megjithatë kryebashkiaku Pierrre Yvrose tha se spitali lokal ishte i tejmbushur dhe kishte probleme me trajtimin e tyre.
“Na duhen burime njerëzore, po ashtu edhe materiale. Serume, garza dhe gjithçka që mund të përdoret në rastet e djegieve serioze”, u shpreh ai.
Shpërthimi shkarkoi po ashtu dëme të mëdha në shtëpi e dyqane në zonë. Për ngjarjen e rëndë autoritetet vendase shpallën 3 ditë zie kombëtare.
Haiti është përballur me një valë dhune këtë vit nga bandat, që për gati një muaj penguan autobotët me karburant që të shkarkoheshin në portet kryesore të karburantit, duke çuar në mbylljen e shumë bizneseve. Furnizimet me karburant rinisën muajin e shkuar.
Bandat po bëhen gjithnjë e më të fuqishme që prej vrasjes së presidentit Jovenel Moïse në Korrik të këtij vitit, që shkaktoi vakum politik dhe i dha mundësinë grupeve kriminale që të zgjerojnë territorin e tyre./tvklan.al