Gjatë mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike, kryedemokrati Sali Berisha, njoftoi se krahas miratimit të të gjithë procedurave të kandidatëve për deputetë, këtij udhëzimi do t’i shtohet dhe kërkesa që çdo kandidat të nisë nga puna për regjistrimin e 300 emigrantëve si detyrë, kur kanë mbetur edhe 21 ditë nga përfundimi i procesit të regjistrimit të diasporës në platformën e vënë në dispozicion nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Çdo kandidat për deputet, duke nisur nga dita e sotme, të ketë si detyrë të regjistrojë 300 emigrantë dhe ta dokumentojë këtë me screenshot-et e regjistrimit të tyre që paraqesin për regjistrimin e këtyre emigrantëve, shqiptarëve jashtë vendi”, u shpreh Sali Berisha.
Kreu i Partisë Demokratike, zgjodhi që ti këshillojë kandidatët për deputetë për mënyrat që duhet të përdorin për të garantuar një proces të suksesshëm të regjistrimit të emigrantëve. Berisha u ofroi mbështetje kandidatëve që të zgjedhin formën më të përshtatshme e cila u jep atyre siguri.
“Kandidatët janë të udhëzuar, të përdorin të gjitha mundësitë që kanë, por një këshillë e imja është në arsyetimin tim, se rruga më e sigurtë për regjistimin e tyre është puna në blloqet dhe lagjet e qyteteve dhe fshatrave tona, këtu. Gjetja e tyre, lidhja telefonike, inkurajimi i tyre, nuk përjashtohen fare takimet jashtë”, tha Berisha.
Kryedemokrati Berisha beson se kjo përpjekje e Partisë Demokratike do të rezultojë një investim shumë i madh për fitoren në zgjedhjet e 11 Majit.
“Secili kandidat tani ka të drejtë të zgjedhë vetë, formën më të sigurtë dhe më të suksesshme, por çdo kandidat duhet të bëjë gjithçka për garantimin e 300 emigrantëve të regjistruar. Kjo do të ishte një investim shumë i madh nga ana e kandidatit dhe partisë për fitoren e ardhshme”, tha Berisha.
Duhet kujtuar se procesi i regjistrimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, përmes platformës PER ka si afat datën 4 Mars 2025./ tvklan.al