Një 42-vjeçar i shpëtoi plumbave në Shkodër gjatë natës. Ishte ora 02:00, kur 42-vjeçari me iniciale A.B, telefonoi policinë dhe raportoi se ndaj tij ishte qëlluar me armë zjarri teksa udhëtonte me makinë. Ngjarja ndodhi në aksin rrugor “Shkodër-Vau i Dejës”, në rrugën e fshatit Vukatane.
Në njoftimin e saj për mediat, policia thotë se 42-vjeçari po lëvizte me një makinë që e kishte marrë me qira. Fatmirësisht nga ngjarja pati vetëm dëme të vogla materiale.
Shkaqet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje momentalisht janë të paqarta. Autoritetet thonë se po punojnë për zbardhjen e rrethanave të saj, si identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
“Rreth orës 02:00, shtetasi A. B., 42 vjeç, banues në fshatin Mjedë, ka njoftuar sallën operative se në aksin rrugor “Shkodër-Vau i Dejës”, në rrugën e fshatit Vukatane, Shkodër, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Toyota”, të cilin e kishte marrë me qira, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale. Është ngritur menjëherë grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, thotë policia e Shkodrës në njoftimin e saj për mediat./tvklan.al