Policia ka zbardhur atentatin ndaj një 30-vjeçari, i cili u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e të shtunës në Kamëz. I riu, ndaj të cilit u qëllua me armë, është identifikuar si Enedjon Kaçi, banues në zonën ku ndodhi ngjarja.

Sipas policisë së kryeqytetit ai po lëvizte me një automjet land rover, ku dy personat e tjerë të shpallur në kërkim, Fabion Kurti dhe Dejvi Mullai, kanë shtënë në drejtim të tij gjatë kohës që po lëviznin me një makinë tip BMVV.

Ngjarja e ndodhur pranë rrethit të ullirit, u fiksua nga kamerat e sigurisë që zbuluan dhe itinerarin e autorëve dhe të shënjestrës së sulmit. Nga kontrollet që shërbimet e komisariatit nr.5 kanë kryer u sekuestruan dy mjetet e përdorura nga të rinjtë.

Në kërkim është shpallur edhe 30-vjeçari që ishte objektiv i atentatit, i cili akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Hetuesit kanë dyshime se në automjetin e tij të kenë qenë edhe persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë larguar me një makinë tip golf.

Dy 24-vjeçarët e shpallur në kërkim Dejvi Mullai dhe Fabion Kurti rezultojnë të skeduar dhe të shoqëruar më parë për shpërndarje të lëndëve narkotike. ndërsa objektivi i atentatit nuk rezulton me ngarkesa penale.

Deri më tani, policia dyshon se mund të ketë ndodhur ndonjë konflikt mes të rinjve për lëndë narkotike, që mund të ketë ndikuar më pas edhe në përdorimin e armës së zjarrit.

Klan News