Safet Bajri është arrestuar me urdhër të Gjykatës së Posaçme, teksa tashmë ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Sipas asaj që raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, Safet Bajri dyshohet si i përfshirë në një ngjarje të vitit 2018 ku është ekzekutuar Fatbardh Lici.

“Bëhet fjalë për një urdhërarresti të lëshuar nga ana e Prokurorisë së Posaçme për Safet Bajrin po ashtu edhe për Astmer Bilalin, ky i fundit ndodhet në burg për vepra të tjera penale që akuzohet. Safet Bjari dyshohet si i përfshirë në një ngjarje të vitit 2018 ku është ekzekutuar Fatbardh Lici. Ai u qëllua në 10 Gusht në qytetin e Shkodrës, në lagjen Kiras. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, rreth orës 7:30 ku viktima po pinte kafe kur një mjet tip Benz pa targa kaloi dhe një person qëlloi drejt tij duke e lënë të vdekur në vend”, raporton gazetari.

Siç duket edhe nga pamjet, Safet Bajri shfaqet i buzëqeshur teksa shoqërohet nga forcat RENEA drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Avokati i Safet Bajrit, Sokol Tahiraj në një prononcim për mediat është shprehur se Bajri nuk është arrestuar, por sipas tij ai është paraqitur vetë në Drejtorinë e Policisë së qarkut të Shkodrës. Tahiraj nuk dha më shumë detaje, por shtoi se Safet Bajri ka ardhur në Tiranë sipas tij për marrjen e kampionit të ADN-së.

“Është për një çështje që është gjykuar një herë. Nuk kam materiale më tepër. Po e theksoj edhe njëherë edhe për mediat edhe për publikun nuk është thirrur në telefon, por është paraqitur vetë në Drejtorinë e qarkut të Shkodrës. Aty është bërë me dije për një kampion ADN-je. ADN do e merrte në Tiranë dhe në atë moment ka ardhur në Tiranë i shoqëruar nga policia. Nuk është arrestuar, por ka vajtur vetë”, shprehet avokati i Safet Bajrit, Sokol Tahiraj.

Mësohet se Bajri është marrë në shtëpinë e tij në Dobraç dhe nuk ka bërë rezistencë, banesë në të cilën tre ditë më parë u ushtrua kontroll.

Fillimisht Bajri u shoqërua në Policinë e Shkodrës ku më pas i është komunikuar që ka një urdhërarresti dhe do të dërgohet në kryeqytet.

Kujtojmë se Safet Bajri ishte mes të shoqëruarve lidhur me masakrën e Shkodrës ku mbetën të vrarë Hamza Lici dhe Arlind Bushati si dhe çifti Bashkim dhe Flutura Basha.

/tvklan.al