Partia Demokratike ka sugjeruar që projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik për zgjedhjet e ardhshme të aplikohet në Fier dhe në Korçë. Është ky propozimi që i ka dërguar selia blu Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Z. Komisioner. Në përgjigje të shkresës suaj nr. 2646. datë 28. 12.2020 mbi zbatimin e teknologjisë në zgjedhjet e datës 25 Prill 2021 për Kuvendin e Shqipërisë, ju bëjmë me dije se opinioni i Partisë Demokratike është që projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik të realizohet në qarqet Fier dhe Korçë”, thuhet në shkresën që mban firmën e sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe që i është dërguar kryekomisionerit shtetëror, Ilirjan Celibashi.

KQZ-ja iu drejtua me një letër partive politike më 29 Dhjetor 2020 ku bënte thirrje për sugjerime se ku mund të aplikohen projektet pilote në këto zgjedhje.

KQZ-ja është e detyruar që përdorimin e sistemeve ose pajisjeve të teknologjisë t‘i zbatojë në zgjedhje nëpërmjet projekteve pilot në jo më pak se 10 për qind të numrit të zgjedhësve për çdo fazë të implementimit.

Në Kodin e ndryshuar Zgjedhor, KQZ-ja ka kompetencën të vendosë në përdorim në zgjedhje sistemet ose pajisjet e teknologjisë së informacionit për të mbuluar aspekte dhe procedura të veçanta të procesit zgjedhor.

Deri më tani selia e Partisë Socialiste nuk është shprehur në lidhje me këtë çështje./tvklan.al