Pavarësisht nisjes së shpejtë të negociatave për armëpushim Tel Avivi vijon me sulmet e tij ndaj Rripit të Gazës.
Si pasojë e një ofensive të intensifikuar ushtria izraelite u ka bërë thirrje të gjithë banorëve të qytetit të Gazës që të evakuohen.
Fletëpalosjet e lëshuara nga avioni udhëzojnë të gjithë në qytetin e Gazës të largohen përmes rrugëve të sigurta të që I çojnë banorët në strehimore në Deir al-Balah dhe al-Zawaida.
Sulme ajrore pati edhe në strehimoret e familjeve të zhvendosura në qytetin Abassan në lindje të Khan Younis në jug të Gazës ku humbën jetën të paktën 29 persona, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Ushtria izraelite në një deklaratë tha se forcat e saj po vazhdonin operacionet në qytetin e Gazës kundër militantëve të Hamasit dhe aleatit të tij Xhihadit Islamik, të cilët ata thanë se kishin vepruar nga brenda objekteve të agjencisë së OKB-së për refugjatët , duke i përdorur ato si bazë për sulme.
Si pasojë e ofensivës ushtarake në Gaza sipas ministrit izraelit të Mbrojtjes, Joav Gallant rreth 60% e militantëve të Hamasit janë vrarë ose plagosur.
Në Jerusalem, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i tha të dërguarit të SHBA-së për Lindjen e Mesme, Brett McGurk, se ishte i përkushtuar për të siguruar një marrëveshje armëpushimi në Gaza, me kusht që të respektohen vijat e kuqe të Izraelit.
Hamasi ka pranuar një pjesë kyçe të planit të propozuar më herët nga SHBA që synon t’i japë fund luftës nëntë-mujore, duke hequr dorë nga kërkesa që Izraeli së pari të angazhohet për një armëpushim të përhershëm përpara nënshkrimit të marrëveshjes.
Klan News