Prej disa ditësh tashmë vijojnë tërmetet në Santorini të Greqisë, por dhe ishujt e tjerë përreth Detit Egje.
Të mërkurën u shënua tërmeti më i fortë i këtyre ditëve, me magnitudë 5.2.
Të lënduar dhe dëme materiale nga lëkundjet sizmike nuk ka, përveç rrëshqitjes së dherave, që deri tani nuk kanë shkaktuar probleme.
Shkencëtarët dhe sizmiologët grekë bashkohen në një pikë rreth skenarëve që pritet të ndodhin në Santorini dhe ishujt e tjerë.
Situata po ndiqet vazhdimisht nga Komiteti grek i Rrezikut Sizmik dhe Vullkanit. E sipas tyre, pritet që të vazhdojnë lëkundje të kësaj magnitude për disa ditë të tjera, ose mund të ketë një tërmet më të madh.
Në mbledhjet e komisionit, kreu i tij tha se pritshmëritë për një tërmet me magnitudë 6.2 apo 6.5 ishin shumë të vogla. Por më të pritshme ishin shanset për rënien e një tërmeti me magnitudë 6.
Sipas ekspertëve grekë, tërmetet me magnitudë 6 dhe 6.5 kanë ndryshim shumë të madh mes tyre dhe çlirojnë energji shumë të ndryshme në të dy rastet.
Sizmiologët thonë se tërmeti i të mërkurës 5.2 ballë mund të bëjë që fenomeni i lëkundjeve sizmike të vazhdojë edhe për 1 deri në 2 javë.
Një tjetër frikë e lëkundjeve të vazhdueshme sizmike, sidomos në Santorini, është mundësia e aktivizimit të vullkanit. Siç dihet, ishulli i Santorinit ka patur dikur aktivitet vullkanik.
Por shkencëtarët grekë vlerësojnë se nuk pritet që këto tërmete të aktivizojnë aktivitetin vullkanik në Santorini.
/tvklan.al