Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo foli në konferencë për shtyp, pas publikimit të listës për dy ndeshjet me Anglinë dhe Andorrën.
Tekniku kuqezi foli për Julian Shehun, për të cilin tha se po bën mirë në Poloni. Silvinjo theksoi se në krahun e djathtë të mbrojtjes janë zgjedhur Balliu dhe Hadroj pas mungesës së Hysajt, ndërsa problemet janë në krahun e majtë, aty ku mungon Mitaj. Ndër të tjera, trajneri i Kombëtares tha se gjendja e të gjithë lojtarëve do të vlerësohet në grumbullim.
“Julian Shehu po bën mirë. Është një lojtar që jep centimetra. Nuk është shumë i ri, ka eksperiencë. Dua të jap një spunto për lojtarët që kemi marrë nga U-21. Ne e kemi parë si lojtar, luan mirë futboll. Sa i përket skemës, e rëndësishme është që të mos humbasësh ekuilibrin. Do shikojmë gjendjen e lojtarëve në fundjavë. Do i vlerësojmë nga e hëna.
Pas Hysajt kemi pasur Balliun pastaj është Hadroj. Në anën e djathtë të mbrojtjes jemi mirë, mungesën e kemi te krahu i majtë te Mitaj. Hadroj është i radhës për krahun e djathtë. Në të majtë kemi Naser Alijin, ka eksperiencë sepse ka luajtur në dy Europianë dhe kam besim tek ai.
Medon Berisha është një tjetër i ri që ka bërë mirë. Vjen nga një dëmtim i gjatë, por jam shumë i lumtur që është rikthyer. Duhet të vlerësojmë lojtarët. Ramadani ka bërë gjithmonë shumë mirë në Kombëtare. Gjendjen e lojtarëve dhe vlerësimin mund ta bëjmë kur të vijnë”, deklaroi Silvinjo.
Shqipëria do të përballet fillimit me Anglinë dhe më pas me Andorrën, takime që mund t’i ndiqni në ekranin e TV Klan.
/tvklan.al