Godinat qeveritare dhe ajo e parlamentit serb janë blinduar rëndë një ditë përpara asaj që pritet të jetë protesta më e madhe kundër presidentit Vuçiç në Beograd.

Në një intervistë për podkastin e djalit të presidentit Trump vetë Vuçiç deklaroi se qarqe të shumta anti serbe kanë hedhur shumë para për revolucionin sepse ata duan të destabilizojnë vendin e tij.

“Në Serbi po ndodh e njëjta gjë si në SHBA pasi të gjitha OJQ-të që paraqiten si të pavarura janë kundër tij ashtu siç janë kundër Trump-it. Miliona dollarë janë përdorur edhe për të mbështetur mediat antishtetërore. Deri tani ndaj protestuesve nuk ka patur përdorim të forcës, ndërsa, në Evropën Perëndimore i vrasin njerëzit që protestojnë”.

Duke folur për protestat, Donald Trump Jr konstatoi se tragjedia në Novi Sad është keqpërdorur si në rastin e pushtimit të Capitol-it të SHBA, për të paraqitur në publik atë mënyrë që mund të ndezë një revolucion.

Ndërkaq mijëra qytetarë, studentë dhe fermerë po mbërrijnë në kryeqytetin serb nga Novi Sadi, Subotica, Smedereva, Kragujevaci, Çaçaku, Nishi dhe qytete të tjera anembanë Serbisë. Prej muajsh me radhë ata kërkojnë përgjegjësi për shembjen e një tende që solli vdekjen e 15 njerëzve në stacionin hekurudhor të Novi Sadi-t muajin nëntor të vitit të kaluar. Deri tani kryeministri Vuçeviç ka dhënë dorëheqjen, por kërkesa për një qeveri teknike dhe zgjedhje të reja është refuzuar nga Vuçiç.

Përpara protestës mediat pro qeveritare kanë transmetuar përgjime që organizatorëve të protestës ku thuhet se ata po mbledhin maska kundër gazit lotsjellës.

Autoritetet parashikojnë dhunë këtë të shtune në rrugët e Beogradit, duke vlerësuar se pas protestës nuk qëndrojnë studentët, por opozita.

Prokuroria e Lartë serbe paralajmëroi orgaziatorët se ata kanë të drejtën e tubimit paqësor, por dhuna nuk do të tolerohet dhe do të ndiqen penalisht në përputhje me ligjin.

Klan News