Autoritetet në shtetin fqinj kanë marrë masa për të mbrojtur punëtorët në ishullin e njohur të Santorinit pas tërmeteve të njëpasnjësshme.

Ministria e Punës e Greqisë tha se po merrte hapa për të ruajtur vendet e punës dhe për të ofruar mbështetje financiare për punëtorët dhe bizneset në Santorini, një nga vendet më të preferuara turistike në Evropë, ekonomia e së cilës varet shumë nga turizmi.

Përmes këtyre masave, punëdhënësit lejohen të pezullojnë kontratat e punonjësve nga 1 Shkurti deri më 3 Mars, ndërsa punonjësit e prekur do të marrin një subvencion shtetëror prej 534 Euro.

Ndërkohë, zyrtarë të Ministrisë së Turizmit zhvilluan takime me pronarët e bizneseve për të hartuar një plan që trajton pasojat e aktivitetit sizmik në sektorin e turizmit.

Deri më tani, zyrtarët lokalë nuk kanë raportuar një valë anulimesh të rezervimeve, megjithëse sizmologët paralajmërojnë se aktiviteti sizmik mund të vazhdojë gjatë.

Klan News