Qindra tërmete të vogla që vijojnë të regjistrohen në Santorini kanë ringjallur shqetësimet për sigurinë e një bumi ndërtimesh prej dekadash përgjatë shkëmbinjve të thellë dhe vullkanikë të ishullit.
Nuk raportohet për dëme serioze, por shkencëtarët kanë paralajmëruar se aktiviteti sizmik mund të zgjasë për javë të tëra.
Kjo ka alarmuar ekspertët, disa prej të cilëve prej kohësh kanë vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e ishullit të vogël.
“Ka pasur rreth 7000 tërmete në shtatë ditë. Janë tërmete me përmasa të vogla. Këtu në Santorini ka shumëllojshmëri ndërtesash, nga ato më të vjetra dhe historike deri te ndërtesat moderne. Do të thoja që ato të kohëve të fundit nuk rrezikohen shumë. Por ndërtesat e vjetra, të rrënuara ose të braktisura, mund të ketë një problem në një skenar për një tërmet me magnitudë 6 ballë”, tha Efthymios Lekkas.
Për ekspertët ajo që përbën një rrezik është se gjatë viteve nuk i është kushtuar vëmendje çështjeve mjedisore dhe të sigurisë ku shumë hotele luksoze janë ndërtuar në shpatet e Santorinit të prirur për rrëshqitje, ku toka është e butë dhe e paqëndrueshme.
Lëkundjet e shtynë qeverinë të shpallë një gjendje të jashtëzakonshme të enjten. Ndërkohë mijëra njerëz u larguan me avionë dhe tragete. Autoritetet njoftuan paralajmërime për rrëshqitje dheu për pesë zona, duke përfshirë portin kryesor të Santorinit.
Shumë banorë janë mësuar me tërmetet. Mathaios Kourgialis, i cili zotëron një hotel të vogël shpreh shqetësim për sezonin e ardhshëm.
“Hoteli është i hapur kishte shumë prenotime, disa klientë u frikësuan dhe u larguan, shumica duan të qëndrojnë pavarësisht se i kemi informuar për rreziqet. Nëse vazhdojmë edhe dy muaj me këtë situatë, me siguri e humbim kete sezon”, tha Mathaios Kourialis.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis kur ishte në Santorini mbrojti standartet e ndërtimit ne ishull.
“Greqia është një vend që ka përvojë me tërmetet, kështu që ne kemi një kod shumë të rreptë ndërtimi, i cili zbatohet në të gjithë vendin, veçanërisht në ato zona që janë më të prirura nga tërmetet. Kjo është arsyeja pse ne ndihemi shumë të sigurt”, tha Kyriakos Mitsotakis.
Këtë të shtunë, lëkundje të njëpasnjëshme janë regjistruar në orën e fundit mes Santorinit dhe Amorgos.
Shkencëtarët rekomandojnë durim edhe për të paktën dy javë të tjera për të nxjerrë përfundime të sigurta për evolucionin e fenomenit.
Klan News