Ky çift turistësh në Santorini nuk është dekurajuar nga tërmetet e njëpasnjëshme në ishullin e njohur grek në ndryshim nga shumica e banorëve. Për agjencinë e lajmeve Reuters ata thonë se po shijojnë zbrazëtinë e ishullit.
“Ishulli është pothuajse bosh. Por ne na pëlqen këtu. Ndjemë një tërmet mbrëmë. Gruaja ime kishte shumë frikë. Por është në rregull, është ok. Do të doja që të gjithë të vijnë këtu. Është një vend i bukur”, tha Anzeel Shafi.
Qindra tërmete kanë detyruar evakuimin e më shumë se 10,000 banorëve. Pika e njohur turistike është tronditur nga aktiviteti sizmik që nga Janari dhe sipas autoriteteve janë regjistruar më shumë se 12,800 tërmete.
Rrëshqitjet e dheut kanë ndodhur në shumë pjesë të Santorinit për shkak të shpeshtësisë dhe intensitetit të lëkundjeve dhe ekspertët nuk kanë përjashtuar një tërmet të madh. Sizmologët ishin optimistë për intensitetin e tërmeteve që filluan të ulen, por tani janë të shqetësuar se situata po përkeqësohet.
Gjendja e jashtëzakonshme do të qëndrojë në Santorini të paktën deri më 3 Mars ndërsa shkollat do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura, jo vetëm në në Santorini por edhe në Amorgos dhe disa ishuj të tjerë.
Santorini ndodhet në atë që njihet si Harku Vullkanik Helen, i cili është një zinxhir ishujsh i krijuar nga vullkanet, por shpërthimi i fundit i madh ishte në vitet 1950. Autoritetet greke thonë se lëkundjet e fundit kanë qenë të lidhura me lëvizjet e pllakave tektonike dhe jo me aktivitetin vullkanik.
Klan News