Ish-drejtori i RTSH pretendon masë më të butë sigurie. Gjykata shtyn vendimin

Ish-drejtori i Radio Televizionit Shqiptar Thoma Gëllçi dhe 3 personat e tjerë të cilët janë nën hetim për tenderin e kanalit RTSH AGRO, kërkuan nga Apeli i Gjykatës së Posaçme të lirohen nga qelia.

Ata pretenduan para trupës gjykuese se nuk janë të rrezikshëm dhe t’u caktohet një masë sigurie më e butë, si dhe mbajtja e tyre në burg nuk është në përputhje me kushtet ligjore.

Avokati mbrojtës, Dorian Matlia tha për mediat ky është sulm për ta penguar për të mos rikandiduar në postin e drejtorit të RTSH-së.

Pavarësisht kërkesës së palës mbrojtëse për lirimin e tyre, prokuroria këmbëngul në masën arrest me burg, ndërsa gjykata kërkoi kohë të njihet me provat, dhe vendimin do t’ua komunikojë të shtunën në orën 12:00.

Zyrtarët e RTSH-së u arrestuan në fillim të muajit Tetor, si të akuzuar për shpërdorim detyre, duke shkelur barazinë e pjesëmarrjes në tendera dhe ankande publike, për shumën prej 86 milionë Lekë.

Klan News