100 milionë Euro investime në infrastrukturën aeroportuale
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka bërë me dije lajmin se do të ulet tarifa e pasagjerit. Në një njoftim për shtyp thuhet se “Ulja e tarifës së pasagjerit nga 12.5 Euro në 10 Euro është vendimi i parë që ka marrë TIA dhe që do startojë me ndryshimin e Kontratës së Koncesionit të miratuar në vitin 2004”.
Në njoftim thuhet më tej se si pasojë e uljes së tarifës do të ketë efekt në uljen e çmimit të biletës së avionit dhe në rritjen e numrit të fluturimeve dhe destinacioneve.
Si pjesë e ndryshimeve të Kontratës së Koncesionit, TIA njofton se një paketë e plotë investimesh, të cilat arrijnë një total prej afërsisht 100 milionë Euro do të jetë në vëmendjen e menaxhimit duke patur në fokus, zgjerimin e kapacitetit akomodues të aeroportit me 6 milionë pasagjerë në vit, zgjatimin e pistës, përmirësimin e plotë të infrastrukturës së aeroportit dhe përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve.
“Plani i investimeve nga koncesionari i ri është një plan ambicioz, i cili synon të përmirësojë ndjeshëm operimin në aeroportin “Nënë Tereza” dhe ta shndërrojë Tirana International Airport në një shembull pozitiv në rajon, me një impakt të jashtëzakonshëm në rritjen e turizmit në Shqipëri dhe përmirësimin e lehtësisë së të bërit biznes”, thuhet në njoftim.
“Bashkë me uljen e tarifës së pasagjerit, pjesë e paketës së ndryshimit të Kontratës së Koncesionit është edhe liberalizimi i Ground Handling Services (Shërbimet në Tokë) dhe liberalizimi i tregut të karburantit të avionëve që do të sjellë kosto më të ulët në çmimin e këtij karburanti. Të gjitha këto ndryshime të rëndësishme do kenë një efekt të menjëhershëm në tërheqjen e linjave të tjera “loë cost”, përfshirë Ryan Air, dhe rrjedhimisht do të kenë efekt në uljen e çmimit të biletës që paguajnë udhëtarët e TIA-s. Më tej, me lehtësimin e kushteve të udhëtimit pas pandemisë, këto vendime do të ndikojnë në shtimin e numrit të fluturimeve dhe destinacioneve”, përfundon deklarata e TIA-s./tvklan.al