Komisioni Europian po harton planin për t’iu kundërpërgjigjur tarifave të larta të importit për çelikun dhe aluminin që do të hyjnë në fuqi më 4 Mars, sipas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen i konsideroi të pajustifikueshme tarifat që prekin edhe vendet e Bashkimit Europian, ndaj sipas saj janë të nevojshme kundërmasa proporcionale.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, si drejtues i qeverisë së vendit më të madh eksportues të unionit, kërkoi solidaritet europian për t’iu kundërpërgjigjur tarifave të importit të vendosura nga SHBA. Sipas tij, BE është një treg i madh me 450 milionë banorë, ndaj dhe është në gjendje të shkaktojë kundërpasoja.

Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde paralajmëroi se tarifat e Uashingtonit mund të shkaktojnë turbullira të reja në Eurozonë, hapësirën e përbashkët monetare europiane, duke vështirësuar mbajtjen e inflacionit në objektivin prej 2%.

Kundërmasa paralajmëruan edhe kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe presidentja meksikane Claudia Sheinbaum.

Tv Klan