Trajneri Thiago Motta ka marrë besim nga drejtuesit e Juventusit, pavarësisht eliminimit nga Kupa e Italisë.
“Zonja e Vjetër” zhgënjeu totalisht në çerekfinale, ku u mposht pas penalltive nga Empoli. Menjëherë pas eliminimit, të shumtë ishin tifozët që shpërthyen ndaj skuadrës, duke kërkuar largimin e trajnerit.
Megjithatë te Juventusi nuk duan të nxitohen. Drejtuesit kanë dalë në mbështetje të trajnerit, duke thënë se projekti është në rrugën e duhur.
“Ndeshja kundër Empolit ishte pothuajse e pashpjegueshme, jemi të trishtuar dhe të zemëruar. Megjithatë, ne jemi të bindur se projekti është në rrugën e duhur. Ky projekt filloi në verë dhe të gjithë jemi dakord që do të na sjellë kënaqësi të mëdha në të ardhmen. Pozicioni i Thiago Motta-s nuk është në dyshim”, tha drejtori Cristiano Giuntoli.
Eliminimi i Juventusit në Kupë, erdhi vetëm një javë pas një tjetër disfatë në Champions League nga PSV.
/tvklan.al