Pas fitores në Kupë, Partizani do të kërkojë të rikthehet te triumfi në kampionat.

Të kuqtë përballen me Elbasanin në transfertë, në sfidën e vlefshme për javën e 27-të në Superligë.

Në prag të kësaj përballje, trajneri Arbër Abilaliaj, vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, duke thënë se kanë zhvilluar një sezon të mirë.

“Është një sfidë shumë e rëndësishme për ne. Nuk vijmë nga një moment i mirë në kampionat, prandaj na duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm dhe shumë të fokusuar. Mbi të gjitha duhet të jemi të gjithë bashkë për të arritur synimin që janë 3 pikët në këtë ndeshje. Në këtë moment që po flasim gjendja e skuadrës është përgjithësisht pozitive. Kemi disa probleme që do t’i vlerësojmë deri në momentet e fundit. Flasim për 3 lojtarë të cilët kanë pasur shqetësime nga ndeshja e fundit që kemi luajtur dhe ende nuk mund ta them nëse do të jenë të gatshëm për një ndeshje të vështirë si ajo e nesërmja.

Mendoj se deri tani Elbasani ka zhvilluar një kampionat shumë të mirë. Është një ekip për tu vlerësuar pasi ka mjaft kualitete brenda grupit. Ka një ambient shumë të mirë dhe një tifozeri që e mbështet. Për ne është shumë e rëndësishme të gjejmë vazhdimësi , grupi të fitojë besim nëpërmjet lojërave dhe rezultateve. Do të përballemi me një kundërshtar i cili do të kërkojë të arrijë fitoren, sikurse edhe ne do të japim 100% tonë për të arritur 3 pikët”, tha Abilaliaj.

Ai u shpreh se nuk është e vështirë për të drejtuar Partizanin, ndërsa shtoi se ndjen kënaqësi dhe privilegj.

“Të drejtosh Partizanin është kënaqësi dhe privilegj. Të them të drejtën nuk është aspak e vështirë. Grupi aktual është një grup i jashtëzakonshëm, futbollistë të cilët në të gjitha aspektet japin maksimumin. Mendoj se ata shumë shpejt do të kthehen dhe të tregojnë formën e tyre më të mirë. Jemi në rrugën e duhur , fryma është shumë pozitive dhe shumë e rëndësishme në këtë pikë të sezonit që jemi. Javë pas jave besoj që do shikoni Partizanin e plotë, Partizanin i cili do të synojë për të luftuar të dy trofetë”, deklaroi Abilaliaj.

Ndeshja Elbasani-Partizani do të luhet të Shtunën, duke nisur nga ora 17:00. /tvklan.al